E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani mund Tiranën milionere dhe ndez luftën për kreun

Goli i Abazajt u jep fitoren vendësve, me gjithë përpjekjet e bardhebluve për ta përmbysur rezultatin

Një fitore në momentin e duhur. Verdheblutë kanë dalë fitues në ndeshjen më të rëndësishme të javës në futbollin shqiptar, ndoshta edhe jashtë parashikimeve, të cilat e kishin llogaritur Tiranën favorite. Edhe një herë tjetër "Ruzhdi Bizhuta" konfirmohet mallkimi më i madh i bardhebluve, të cilët në pesë vitet e fundit kanë fituar vetëm një herë në kampionat në këtë stadium. Kryeqytetasit, pavarësisht faktit se kanë qenë më superiorë se Elbasani, nuk kanë mundur të dalin mbi shpirtin e garës që kanë treguar vendësit. Tirana mund të kishte marrë diçka më shumë, teksa ka goditur traversën dhe shtyllën, ndërkohë që për ta nuk kanë munguar rastet edhe në pjesën e parë. Tirana e nisi ndeshjen me një surprizë të vogël në formacion, ku trajneri Slishkoviç preferon të luajë vetëm me Memellin në sulm, i mbështetur nga Muzaka, dhe me një mesfushë më të ngjeshur, ndërsa trajneri Josa i beson të riut Kaçuli në krahun e majtë të mesfushës. Loja nisi e fortë dhe shumë e ekuilibruar, me luftë të fortë sportive sidomos në mesfushë. Tirana në këtë pjesë e tentoi më shumë potën e Osmanit, por pa arritur të shënojë. Elbasani ndërkohë preferon ta presë kundërshtarin në gjysmëfushën e vet dhe shfrytëzon episodet dhe kundërsulmet për ta rrezikuar Tiranën. Pikërisht nga një goditje këndi do të vijë dhe avantazhi i vendasve, teksa një krosim i Bakallit do të shfrytëzohet më së miri nga Abazaj, i cili shënon me kokë dhe ngre peshë "Ruzhdi Bizhutën". Tirana nuk mund të pajtohet me këtë rezultat dhe hidhet në sulm. Bardheblutë e kontrollojnë lojën dhe rrezikojnë në disa raste, por Memelli dhe Agolli nuk dinë ta dërgojnë topin në rrjetë, ndoshta për meritë edhe të portierit Osmani, i cili ka qenë me fat kur goditja e Lilës është ndalur nga traversa. Verdheblutë shkuan në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.

Në pjesën e dytë Josa hedh në fushë talentin Hyshmeri. Loja e Elbasanit fillon të marrë pak më shumë gjallëri, paçka se Tirana është gjithnjë më kërkuese dhe e qarkullon më shumë topin. Megjithatë, Elbasani, falë lojës thuajse perfekte në aspektin taktik të Bejzades dhe Beqirit, mbrohet mirë, ndërsa lojtarët e mbrojtjes, si Kacollja, Vrapi dhe Sheta, janë të pakalueshëm për sulmuesit e Tiranës. Slishkoviçi hedh një sulmues më shumë në lojë, teksa zëvendësoi Dabullën me Daniel Xhafën. Mendjemadhësia e kryesuesve kuptohet qartë edhe nga trajneri kroat, i cili revoltohet me aksionet shumë të lexueshme sulmuese të bardhebluve. Trajneri Josa bën lëvizjet e fundit, duke hequr nga fusha Bejzaden, ndër më të mirët në fushën e lojës. Tirana në fund mund të kishte shënuar me Memellin, i cili, pas një goditjeje këndi, gjen shtyllën pingule të portierit Osmani. Mbyllet 1-0 dhe "Ruzhdi Bizhuta" e feston edhe për shumë minuta pas ndeshjes këtë triumf, që jo vetëm e rikthen Elbasanin në grupin e skuadrat pretendente, por e bën edhe më të bukur kampionatin...

Ndeshja tjetër e luajtur dje, Dinamo-Flamurtari, u mbyll në barazim 1-1. Plaku shënoi për blutë afër fundit të ndeshjes, por pas dy minutash ka barazuar Brajkoviç për Flamurtarin.

Superliga, java e 10-të

Dje

Elbasani – Tirana 1-0

Dinamo – Flamurtari 1-1

Të shtunë

Lushnja – Vllaznia 1-4

Teuta – Bylis 1-0

Shkumbini – Apolonia 2-0

Të premte

Besa – Partizani 0-0

Kategoria e pare, java e 9-të

Dje

Pogradeci – Ada 2-0

Dajti – Naftëtari 3-0

Të shtunë

Skënderbeu – Luftëtari 3-1

Turbina – Besëlidhja 2-1

Gramozi – Sopoti 2-1

Tërbuni – Bilisht-S. 2-1

Skrapari – Burreli 0-0

Kastrioti – Laçi 2-0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›