E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hani e ka me Mavrajn: Nuk e di është apo jo shqiptar!

Trajneri holandez i kuqezinjve është i çuditur me zgjedhjen e lojtarit të Bohumit

Trajneri i kombëtares Ari Han, i pranishëm në tribunë "VIP" të "Selman Stërmasit" për të ndjekur sfidën e djeshme Dinamo-Flamurtari 1-1, në fund është pronocuar dhe për mediat e pranishme. Sipas holandezit, zgjedhja e futbollistit të Bohumit, Mërgim Mavraj, për të mos luajtur për ngjyrat e Shqipërisë është paksa e çuditshme. Ndërkohë, njëshi i stolit të kombëtares ka folur edhe për lënien jashtë të lojtarëve të rinj për ndeshjen miqësore me Azerbajxhanin, por edhe për dy lojtarët shqiptarë që po spikatin në kampionatin ukrainas, Dorian Bylykbashi dhe Parid Xhihani. Në fund të intervistës Hani ka lënë dhe një koment për ndeshjen e javës së 10-të të superligës Dinamo-Flamurtari 1-1.

- Mister Han, janë lënë jashtë liste shumë lojtarë të rinj si Hyka, Kapllani dhe Salihi për miqësoren me Azerbajxhanin. Pse kjo zgjedhje nga ana juaj?

- Unë kam mundësi të zgjedh 21 futbollistë dhe, po të kisha lënë të tjerë emra jashtë, po i njëjti problem do të komentohej. E shikojmë këtë sfidë njësoj si atë ndaj Maltës dhe kemi afruar 2 apo 3 lojtarë të rinj.

- Duke parë se është një ndeshje miqësore, mund të kishim akoma emra të rinj në lëtë listë?

- Varet nga situatat. Unë ua kam shpjeguar dhe futbollistëve të mi se zgjedhjet do të varen sipas kundërshtarëve që do të kemi përballë. Skuadra është më e rëndësishme se lojtari.

- Një mendim rreth dy futbollistëve shqiptarë që luajnë në Ukrainë, si Dorian Bylykbashi dhe Parid Xhihani?

- Bylykbashin e kam parë nga afër, duke e pasur në stërvitje në Poloni, ndërsa Xhihanin e kam parë që po kalon një formë të mirë, por për momentin këto janë zgjedhjet e mia.

- Një shpjegim për çështjen "Mavraj"?

- Shumë e thjeshtë për ta shpjeguar. E kam ftuar këtë futbollist edhe në miqësoren ndaj Polonisë. Unë e pashë dhe kisha dëgjuar dëshirën e tij për të luajtur për Shqipërinë dhe vendosa ta afroja në skuadrën kombëtare, por ai vendosi që në këtë moment të mos luaj për Shqipërinë. Zgjedhja është e tij, por unë nuk mund ta kuptoj. Është vetëm 22-vjeçar dhe është e çuditshme që nuk luan për Shqipërinë. Mavraj duhet të bëjë zgjedhjen e tij, sepse është shqiptar. Si fillim unë do t'i uroja atij të zinte një vend titullari tek Bohumi.

- Çfarë mund të na thoni për sfidën e sotme (të djeshme) Dinamo-Flamurtari?

- Kur shikoj shumë ndeshje më pëlqen, pasi në këtë mënyrë shikoj se çfarë ndodh. Lojtarët ishin më tepër se 100% të përqendruar. Sigurisht, niveli nuk është si në Europën Perëndimore, por e rëndësishme është që në futboll tifozët të kënaqen me atë që shohin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›