Elbasani në kaos, pritet reagimi i presidentit Laze
Futbollistët presin me ankth të qartësohen në lidhje me të ardhmen, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me presidencën verdheblu
Nga Elton Karaj
Një situatë kaotike e ka përfshirë ditët e fundit ekipin e Elbasanit, pas lajmit se presidentit Arben Laze i janë ngrirë aksionet. Kjo ka bërë që verdheblutë të jenë shumë të paqartë për të ardhmen, edhe pse ende nuk është thënë fjala e fundit. Momentalisht, në krye të skuadrës është aksioneri Gentian Çërraga, i cili ka marrë përkohësisht rolin e presidentit deri në një vendim të dytë për Arben Lazen. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e Elbasanit, që mund të ketë fatin e Partizanit, nëse problemi nuk zgjidhet në favor të tij. Eshtë pritur me shumë interes një deklaratë nga ana e presidentit Arben Laze, që deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndërkohë që kontaktimi me të ka qenë i pamundur. Të gjithë presin që Laze ta dalë publikisht dhe të sqarojë pozicionin e tij. Në këto kushte, çdo ditë që kalon e shton edhe më tepër ankthin në radhët e futbollistëve dhe tifozëve verdheblu, sepse pritej të ndërtohej një skuadër pretendente për kthimin në Superligë, ndërkohë që gjërat po marrin rrjedhë tjetër. Çështja e presidentit duket vërtet e komplikuar dhe ajo që mbetet për tu sqaruar është, nëse Arben Laze do të vazhdojë të jetë presidenti i Elbasanit në të ardhmen apo do të largohet nga skuadra, që ka më shumë se 10 vite që e financon. Futbollistët nga ana tjetër i kanë përjetuar keq ngjarjet e fundit, që mund të kenë ndikim në karrierën e tyre. Disa prej tyre shprehen se tani janë vërtet në hall, pasi kishin menduar seriozisht që të qëndronin tek Elbasani dhe se i kanë rinovuar kontratat me këtë skuadër. Futbollistët presin me padurim zgjidhjen e kësaj çështjeje, në mënyrë që të fillojnë të mendojnë për sezonin e ri. Për momentin nuk ka asnjë largim zyrtar nga verdheblutë, pavarësisht situatës së mjegullt që po kalon skuadra. Kuptohet që për përforcime, për momentin nuk mund të flitet.
