Naftëtari, objektivi është mesi i artë
Nga Arben Çepani
Naftëtari është një nga ekipet që fituan të drejtën të luajnë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm dhe ky fakt i gëzoi të gjithë, ndërsa tani pritet me padurim që të bëhet riorganizimi. Në fakt, kuçovarët duken disi të vonuar në lidhje me përgatitjet, edhe pse futbollistët po stërviten individualisht. Këta të fundit kërkojnë që sa më shpejt ekipi të grumbullohet dhe të nisë punën. Drejtuesit sigurojnë se organizimi do të bëhet javën e ardhshme. Naftëtari kthehet në Kategorinë e Parë pas tre sezonesh mungesë dhe, pavarësisht vonesës në fillimin e përgatitjeve, drejtuesit e këtij ekipi janë të bindur për një paraqitje sa më dinjitoze. Natyrisht, nuk mund të pretendohet Superliga, por kuçovarët besojnë se mund të zënë një pozicion të kënaqshëm në renditjen përfundimtare. Duhet thënë se Naftëtari nuk merr pjesë në Superligë prej më shumë se tre dekadash, pasi në elitë ka qenë për herë të fundit sezonin 1986-1987. Ndeshjen e parë të kampionatit të ri Naftëtari do ta luajë me Elbasanin, në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Për herë të fundit Naftëtari dhe Elbasani janë përballur sezonin 1999-2000, kur dy ekipet konkuronin në nivelin inferior. Atë sezon Elbasani i ka fituar të dyja ndeshjet, 7-1 në fushën e tij dhe 1-0 fazën e dytë në stadiumin Bashkim Sulejmani. Pavarësisht këtyre kujtimeve të hidhura, në kampin kuçovar shpresojnë për një nisje sa më të mirë të kampionatit. Naftëtari do të ketë objektivin modest të mbijetesës dhe të gjithë mendojnë se do ta realizojë.
Portieri Bello ikën nga Gramozi, gati firma për Pogradecin
Nga Kristi Lilo
Rënia e ekipit kolonjar në Kategorinë e Dytë po shoqërohet me rrjedhje nga kontigjenti i sezonit të kaluar. Thuajse të gjithë futbollistët jabanxhinj të formacionit janë larguar nga ky ekip. I fundit është portieri korçar Bello, i cili ka konfirmuar dje se do të kalojë tek ekipi pogradecar. Ai ka konfirmuar largimin përfundimtar nga Gramozi dhe se është gati të firmosë me Pogradecin. Në një prononcim për Sportin shqiptar Bello shprehet: Më vjen keq që largohem nga Gramozi. Mendoj se njeriu duhet të kërkojë më të mirën dhe unë këtë po bëj. Jam në bisedime me disa ekipe, por besoj se do të nënshkruaj me Pogradecin, të paktën për një sezon. Kam kaluar një periudhë shumë të mirë tek ekipi i Gramozit, që, për fat të keq, nuk arriti të qëndronte në Kategorinë e Parë. Aktualisht, po stërvitem me ekipet zinxhir të Skënderbeut, duke mos e ndërprerë asnjë ditë punën. Kam pasur kontakte edhe me ekipe të tjera të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë, por më e përshtatshmja më duket kjo me fqinjët e Pogradecit. Ka kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i kampionatit, por futbollistët e Gramozit nuk e dinë ende kur do të nisë faza përgatitore.
