Elbasani përgatit goditjen “Dede”

Me dhjetë blerje të realizuara në merkaton verore, Elbasani i presidenti Arben Laze, që e mbylli sezonin e kaluar larg zonës europiane, është klubi më aktiv në prag të Kampionatit të 69-ta Kombëtar të futbollit që nis startin e tij më 25 gusht.
Tre ish-dinamovitët Lika, Ahmataj dhe Qorri, së bashku edhe me Fjodor Xhafën (e ardhur nga Flamurtari), Sokol Bulkun (Partizani) i shtohen pesë blerjeve të tjera: Babaj, Tetova, Vilanci, Lako, Mushica, të cilët nën urdhërat e trajnerit Krenar Alimimehmeti (edhe ky debutues me Elbasanin) do të nisin pjesën e dytë të fazës përgatitore në "bazën" e re stërvitore të ekipeve shqiptare në Mavrovë të Maqedonisë. Së fundi te Elbasani mund të rikthehet edhe një emër si Nevil Dede, i cili ka qenë edhe kapiteni i verdhebluve kur ata u shpallën kamionë të sezonit 2005-2006.
Dinamo mbetet fuqia numër 2 e merkatos, jo vetëm për nga cilësia dhe kualiteti i lojtarëve, por dhe nga shpenzimet disa qindra milionëshe të presidentit Besnik Sulaj. Kotorri (nga Elbasani), Bizhyti (Shkumbini), Pisha, Pema, Allmuca, Abraham (të katërt nga Tirana) si dhe Plaku (Apolonia) përbëjnë një "shtatëshe" titullarësh të frishëm për cdo ekip.
Tirana, kampionia në fuqi, një nga klubet më të pasura në Shqipëri duket se në merkaton e këtij sezonit ka dalë në plan të tretë. Shtatë largimet e titullarëve për shkak të ofertave të pakënaqshme financiare (Allmuca, Pisha, Sinani) dhe transferimeve ndërkombëtare (Ervin Bulku) janë zëvendësuar me shtatë të tjerë, ku emri më i spikatur është ai i Daniel Xhafaj (vesh për herë të parë fanellën bardheblu, ashtu si Vrapi), ndërkohë që rikthimet e e veteranëvë Fortuzi, Sina e Merkoci, nuk mund të thuhet se do të sjellin ndonjë zhvillim të dukshëm te 23-herë kampionët, cka e dëshmuan edhe në elimiminim e turpshëm në turin e parë të Ligës së Kampioneve.
Partizani zhvilloi një merkato "blic" duke realizuar qysh në ditët e para të qërshorit blerjen e katër futbollistëve: Bejzades nga Vllaznia, Shkembit e Devollit nga Teuta dhe Osmanit nga Elbasani. Të gjithë lojtarë me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Me titullin kampion që i mungon prej 15 vjetësh, të "Kuqtë" e Likës, të cilët janë në ditët e fundit të përgatitjeve në Maqedoni synojnë seriozisht një nga dy trofetë sezonalë.
Blerjet e reja te Teuta, nënkampione e vendit, thuajse nuk e ekzistojnë. Largimeve të Daniel Xhafës, Endri Vrapit, Bledi Shkembit e Bledar Devollit u janë shtuar edhe përjashtimet e presidentit Hasanbelliu të Bledar Mancakut, Maringlen Kapajt e Oert Kotjes.
Vllaznia e Mirel Josës (i falur nga Komiteti Ekzekutiv) edhe pse realizoi blerjen më të rëndësishme sezonale, Vioresin Sinanin, golashënuesin më të mirë të sezonit 2006-2007 sërish ka pasur rrjedhje të rëndësishme. Bejzade, Dabulla, Dalipi, Gudjabi janë zëvendësuar me Norën, Kacin, Beqirin e Simon.
Besa "shumëkombëshe"
Besa, fituesja e Kupës së Shqipërisë, që bëri një paraqitje dinjitoze në ndeshjen e parë të Kupës UEFA, është një nga skuadrat "shumëkombëshe" e kampionatit shqiptar, duke filluar nga trajneri rumun Silviu Dumitresku (i vetmi trajner i huaj këtë sezon) e deri të shqiptaro-maqedonasit Zendeli, Ramadani. Fortunat dhe Abdulla Ishaka plotësojnë emrat e tjerë të huaj si Binogol e Elokan.
Të kënaqurit me pak
Flamurtari e Kastrioti, dy të mbijetuarit e edicionit të kaluar nga katër skuadra që u ngitën nga Kategoria e Parë në sezonin 2006-2007 kanë zhvilluar një merkato të pëlqyeshme për vetë përmasat e dy formacioneve. Te Flamurtari kanë ardhur Mema, kamerunasi Fish, kosovari Leci dhe Hyso, te Kastrioti blerjet sezonale janë Shameti, Rizvanolli, Driza, Arifaj dhe kongolezi Bokotola.
Të "varfërit"
Skënderbeu e Besëlidhja, dy skuadrat e porsa ngjitura në elitën e futbollit modest shqiptar, janë dhe klubet më pak aktive në merkaton verore. Senegelazi El-Haxhi Gudjabi dhe maqedonasi Zveto Deliovski janë shumë pak te skuadra korcare që ka njohur shtatë largime nga skuadra e Jani Kacit. E ngjashme është dhe situata te klubi lezhjan, që pësoi edhe dramën e parë të trajnerëve pas largimit të Bicit. Te Besëlidhja janë afruar Alcani Tocuku, Ballco dhe Petresku.