E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ditën botërore të autizmit, një libër i ri

Në libraritë e Tiranës sapo është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Onufri” një libër i ri i autorit të njohur Spiro Saqellari “Autizmi në këndvështrimin psiko-edukativ”. Me një parathënie të mjekes psikiatre Anita Pilika, si dhe me një hyrje të vetë autorit, libri përmban rreth tridhjetë kapituj. Autori bën përpjekje për të dhënë një shpjegim shterues, duke u ndalur në tema të tilla si autizmi te ne dhe shpresa për një trajtim bashkëkohor, përshkrimi i një rasti, fëmija autik, fëmija me element autikë, fëmijë të moshave 2-3 vjeç dhe 5-6 vjeç, sjelljet autike, sinjale në foshnjëri e më etj. etj. Gjithashtu autori bën kujdes që të ndjekë evoluimin e fëmijës qysh në muajt e parë të lindjes, kur bëhet 18 muajsh, dhe mënyra sesi sillet ai kur bëhet mbi katër vjeç. Vend të veçantë në libër zënë edhe trajtesa të tilla si zhvillimi i konceptit të autizmit, klasifikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Shoqatës së Psikiatërve Amerikanë etj. Jo me më pak interes janë në kapitujt vijues edhe seancat e ndërhyrjes dhe të trajtimit të fëmijës autik, ku sillen përvojat botërore dhe përvoja shqiptare, sidomos nga mjeket e përkushtuara Enkelejda Zelaj dhe Fiorela Çavo. Kapitujt e fundit të librit fokusohen në rastet e përshkruara nga vetë prindërit, Darieni, Darti dhe përshkrimi i një nëne për fëmijën e saj autik. “Kohë më parë, kur ky libër më endej në kokë si mjegull… rasti e solli që të takoja një studente të psikologjisë. Duke folur për ndodhi të profesionit, më tha se vetëm një njeri ishte “shëruar” nga autizmi. E vazhdova bisedën duke i thënë se njihja shumë raste. Nuk ishte habi kur përmenda që autikë në fëmijëri kanë qenë edhe Anjshtajni, Bethoveni, Njutoni, Edisoni i dritës, Van Gogu… një futbollist i shquar francez… Biseda me psikologen e ardhshme e të pafaktshme, ma përforcoi idenë se një libër për autizmin duhej shkruar patjetër… Rastin e mësipërm e solla për të treguar se autizmi ka një vello misterioze, jo vetëm për njerëzit në përgjithësi, por edhe për ata që kanë detyrë të dinë më shumë, përfshi edhe mjekët… Afërsisht njëzet vjet pranë fëmijëve me probleme nuk janë as pak e as shumë. E unë në librat e mi këtë jam munduar të bëj; gjithçka që ata vetë dhe prindërit më kanë mësuar të bëj, literatura, kolegët e mrekullueshëm, e kam vënë në shërbim të tyre…”- shprehet autori Spiro Saqellari. Në fund të librit, jo thjesht si domosdoshmëri, por si një nevojë për të sjellë në Shqipëri përvojën europiane dhe botërore, autori përmend emra të shquar në këtë fushë si Schutzenberger, Devroede, Cippone, Naouri, Martino, Jacqueline, Bettelheim, Muller, Winnicott, Durey,Epelbaum, Dodson, Dolto, Frojd, Houzel, Hochman, salome, Galland, Kremer, Liaudet, Karmiloff, Lebovici, Sauvage, Maistre etj. Jo vetëm kaq, në faqet e këtij libri janë dy dekada që vetë autori u është kushtuar me mish e me shpirt këtyre fëmijëve problematikë, duke marrë prej tyre një mirënjohje, të pangjashme me atë që jep jeta njerëzore. Këtu e një vit më parë në Tiranë funksionon qendra “Fluturo për jetën” (themeluar nga Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë), e cila është në dispozicion të fëmijëve autikë dhe prindërve të tyre. Në këtë institucion punon edhe lokopedi Spiro Saqellari së bashku me një ekip pluridisiplinar që vlerëson dhe trajton probleme të spektrit autik të fëmijëve të vegjël. Qendra ka kohë që ka filluar lidhjet e saj me simotrat e veta të Perëndimit, si me “Autizëm Speeks”, teksa ka realizuar edhe një sërë trajnimesh dhe pjesëmarrje në simpoziume ndërkombëtare. Specialistë të ndryshëm të saj kanë përfituar edhe formime e kualifikime jashtë shtetit deri edhe me personalitete si ata të shkollës amerikane në këtë fushë, si Deborah Fein, Lynn Brennan e Susan Nicholson.

Rita Loloçi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›