E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHPEJTESIA E HARRESES SE NJE SHEKULLI

1.

Për të gjitha tash mund të fajësohet një tren. Historia e shekullit të kaluar do të mund të dukej ndryshe po të mos kishte arritur një ditë e vitit 1917, nëpër territorin gjerman (dhe me ndihmën e autoriteteve gjermane) në stacionin Finlandia të Petrogradit, Vladimir Iliq Lenini. Prej aty, do të fillonte, në fakt, revolucioni bolshevik dhe tërë një shekull i paprecedent. I paprecedent në ndryshimet teknologjike, në sistemet ideologjike totalitare, në krizat ekonomike, në ndërtimin e ushtrive dhe institucioneve mbikombëtare - i paprecedent në nivelin e shkatërrimit njerëzor.

Por shekulli i kaluar e pat edhe këtë, dhe stacionet tjera të trenit, dhe profesori Tony Judt, një intelektual i rrallë britanik-amerikan, përpiqet që këtë shekull ta nxjerrë nga harresa në koleksionin e eseve të sapopublikuara në librin "Appraisals" ("Vlerësime", The Penguin Press, New York), ese që përfshijnë gjerësinë tematike, prej Rozës së Kuqe (Luksemburg), fshatrave flamane dhe një princeshe gjysmë-nudo rumune, e deri te dështimi i Izraelit që të piqet si shtet

Harresë, kur shekulli i kaluar sapo ka përfunduar? Të harruar do të ishin palestinezët, po të mos kishte shënuar kauzën e tyre intelektuali i njohur Edward Said, dhe, e harruar do të jetë çdo gjë, shton autori, po të mos mësohet nga e kaluara, siç ndodhi në shekullin XX, kur nuk u mësua nga ai parapraku.

E, shekulli i kaluar, në esenë hyrëse të autorit, na mëson thelbësisht tri gjëra.

E para, se i kemi të ndërtuara brenda pasojat e luftërave të mëdha. SHBA-të, që nuk kanë luftuar në territorin e vet, pra nuk e kanë pësuar shkatërrimin e luftës në shtëpi, kanë pasur mundësinë të ndërtojnë në kontinuitet ekonominë e vet, e vetmja funksionale menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe të ndërtojnë po ashtu besimin për nevojën e udhëheqjes së luftërave për të mbrojtur sistemin e vet të vlerave të tregut të hapur.

Evropa, nga ana tjetër, ka pësuar të dyja luftërat botërore në kontinentin e vet, dhe afiniteti për luftë është shumëfish më i vogël se sa tek amerikanët, madje shkatërrimi i luftës së fundit botërore nxiti për herë të parë partneritetin franko-gjerman dhe për konsekuencë, Bashkimin e sotëm Evropian. Leksionet e shekullit të kaluar u panë në Irak, ku SHBA-të udhëhoqën një ndërhyrje, e cila do të ketë pasoja afatgjata për tërë regjionin, dhe marrëdhëniet mes Perëndimit dhe botës, në të ashtuquajturën Lindje të Mesme të Madhe.

Leksioni i dytë i shekullit të kaluar është ai i ngritjes dhe rënies së shtetit, posaçërisht atij të lindur në gjysmën e dytë të shekullit, pra shtetit të mirëqenies, ose social (Welfare State), d.m.th. funksionet sociale të tij. I lindur si rrjet sigurie që mbron nga frika individuale dhe kolektive të evropianëve pas Luftës së Dytë Botërore, shteti social u sendërtua në Evropën Perëndimore, pa marrë parasysh se cila forcë politike ishte në pushtet, konservatore apo e majtë. Tash, ky shtet, me sistemin e vet të ndërlikuar tatimi, është i rrezikuar nga forcat e tregut, madje, tashmë forca të globalizuara të tregut.

Dhe i treti, është ai i rolit të intelektualit. I tërë shekulli i kaluar kaloi në një debat intensiv ideologjik e doktrinar. Në të, sipas autorit, intelektuali i angazhuar i së majtës ka lozur një rol të veçantë, brenda familjes së mendimit marksist, gjegjësisht natyrës së këtij mendimi që bën ndërlidhjen mes filozofisë e ekonomisë, shtetit e tregut. Fundi i ideologjive totalitare, fashizmi dhe komunizmi, ndërtimi i shtetit të mirëqenies (social), që të gjitha këto kanë larguar gradualisht intelektualin e angazhuar evropian prej vijave të para të luftërave politike.

2.

Konstatimin për mungesën e intelektualit të angazhuar e lexova, me një koincidencë, ditën kur përkujtohej në "The New York Times" 40-vjetori i ngjarjeve të vitit 1968. Atëbotë, çfarë kishte filluar si një protestë e rëndomtë studentore në Francë për kushtet e studimeve, u shndërrua në një lëvizje e gjerë anti-establishment, e prirë sa nga energjia kreative rinore, aq edhe nga instinkti fondamental intelektual për të racionalizuar nevojën për ndryshim. Atë vit, në rrugët e Parisit, intelektualët dhe studentët në fakt ndryshonin bindjen e etabluar të pushtetit, se marrëdhëniet shoqërore mund të zhvilloheshin me kontinuitet, si para Luftës së Dytë Botërore. Prej vitit 1968 e tutje, intelektualët e angazhuar kanë pasur rol gjithnjë e më të vogël.

Në përmasa shumë më modeste për historinë e Evropës natyrisht, kjo do të shënohej edhe në botën shqiptare. Më 1989, ishte angazhimi intelektual i shqiptarëve të Kosovës që krijoi atë që do të quhej "Alternativa kosovare", e që do të identifikohej pothuajse në mënyrë imediate me Ibrahim Rugovën. Në një paralelizëm me Francën, intelektualët e spikatur si Fehmi Agani kishin qenë të tillë edhe më 1968, duke mbrojtur kauzën e demonstratave të atij viti në Prishtinë. Më 1991 ishte angazhimi intelektual në Shqipëri, deri atëherë i identifikuar në një masë edhe me pushtetin ekzistues, që tundi balancën shoqërore kah studentët protestues.

Nëse në Evropën Perëndimore pas vitit 1968 e në atë shqiptare pas vitit 1991 u shënua diskontinuiteti, a do të thotë se kemi hyrë, siç përshkruan Tony Judt, Britaninë e Tony Blairit në një shoqëri "postpolitike", gjegjësisht postideologjike?

Për shqiptarët, druaj se ky konstatim është tepër i shpejtuar. Shqipëria e pas Enver Hoxhës dhe Kosova e sapopavarësuar, pothuajse vetëm tash janë duke u bërë shoqëri politike, shoqëri ku debati i brendshëm, më shumë se sa faktorët e jashtëm (ndërhyrjet ushtarake, presioni i Fuqive të Mëdha) krijon ndryshimin. Dhe, ku debati nuk është ideologjik ose pse nuk ekziston fondament intelektual për ta bërë, ose nga pesha e rëndë morale e fjalës ideologjike nga koha e komunizmit.

3.

Por, atëherë, çfarë do të ishte roli i mundshëm i intelektualit të angazhuar sot, nëse shikojmë prapa, siç bën autori i librit?

Sipas tij, sfidat e shekullit XXI janë të identifikueshme si ato në shekullin XX. Mes tyre: Çfarë duhet të jetë balanca mes iniciativës private dhe interesit publik? Pasurisë së maksimizuar private dhe minimizimit të fërkimit shoqëror? Cilat duhet të jenë kufijtë mes komuniteteve politike dhe atyre religjioze?

Këto pyetje kanë vlerë universale për ndërtimin e një shoqërie, por nuk kanë impakt të njëjtë, në Britaninë postpolitike dhe hapësirën shqiptare të porsahyrë në sferën politike. Në Britani, pyetja është se si të ridefinohet (shpëtohet) natyra sociale e shtetit, në Shqipëri e Kosovë vetëm gjatë këtij shekulli po manifestohet mundësia e ndërtimit të shtetit perëndimor të mirëqenies. Kosova sapo ka fituar një sovranitet të mbrojtur nga Perëndimi, Shqipëria gjatë pothuaj një shekulli ka eksperimentuar me çdo gjë, deri te shembja e shtetit, por nuk ka arritur të krijojë ende institucionet e shtetit perëndimor, në kuptimin e sotëm të Evropës Perëndimore.

Pas 20 vjetësh konflikti politik e ushtarak, Kosova për herë të parë më 1 Maj artikuloi në formën e një proteste sindikale kërkesa sociale. Pas 20 vjetësh tranzicioni Shqipëria, në formë tragjike kuptoi se çdo gjë nuk varet nga forcat e tregut, se ende ekziston nevojë për rol rregullativ të shtetit, në fusha siç është për shembull, grumbullimi, çmontimi dhe shitja e municionit.

Ndoshta roli i intelektualit është të shërbejë si kujtesë e gjallë e shekullit të kaluar dhe të shërbejë si urë mendimi për këtë, në të cilin kemi hyrë, duke qenë pjesë aktive e debatit shoqëror. Në Shqipëri e Kosovë, përkundër të shumë veçorive, pyetja fondamentale është se cila është masa e ndërhyrjes shtetërore që duam të rrisim në një ambient, i cili prej kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror të komunizmit ka kaluar në një skajshmëri tjetër, të laissez-faire, apo edhe më keq, të zaptimit të shtetit nga aktorët e tjerë të shoqërisë.

4.

Mbase përkujtim i përhershëm i rolit të intelektualit (dhe këtu nuk po e përdor formulimin e ndërtuar në Kosovë gjatë pesëdhjetë viteve të kaluara se intelektual është çdokush që ka kryer shkollë, preferencialisht fakultetin) janë fjalët tingëlluese të Primo Levit.

I cituar në "Appraisals", thotë: "Ndodh këto ditë të dëgjosh njerëzit të thonë se turpërohen që janë italianë. Në fakt, kemi arsye të mirë për t‘u turpëruar: pikësëpari, sepse nuk kemi qenë në gjendje të prodhojmë një klasë politike që të na përfaqësojë dhe, përkundrazi, kemi toleruar një klasë të këtillë politike që nuk na përfaqëson".

Problem plotësues, natyrisht, është të definohet se çfarë janë vlerat e "na" në formulimin "klasë politike që të na përfaqësojë". Ato definohen në shekullin që jemi, pa e futur në harresë atë që kaluam.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›