Elbasani ruan kreun, afrohet Lushnja
Elbasani fiton minimalisht me Memaliajin dhe ruan kreun e klasifikimit në Kategorinë e Parë. Verdhebluve i ka mjaftuar goli i realizuar nga Mehmetaj, kur kronometri tregonte 15 minuta lojë për të marrë tri pikët e radhës. Bylisi kalon me sukses provën në fushën e vështirë të Luftëtarit, një tjetër skuadër që renditet mes kryesueseve dhe që gjatë këtij sezoni ëndërronte rikthimin në elitë. Ballshiotët fituan me shifrat 2-0 në Gjirokastër dhe vazhdojnë të ndjekin nga afër Elbasanin (diferenca është vetëm 1 pikë). Nuk gabon as Lushnja përballë Burrelit: "lagunarët" triumfojnë 4-0 në "Roza Haxhiu", ku heroi i ditës ishte Bubeqi me tri gola të shënuar. Kamza nuk arrin të thyejë mbrojtjen e Gramshit. Edhe pse në letër kanë një skuadër më të fortë, ata morën vetëm 1 pikë në debutimin e Agustin Kolës në stolin e skuadrës. Ada ka dhuruar rezultatin më të thellë të ditës së djeshme, pas fitores 7-1 me Skraparin.
e. k.
e. k.