E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzaka-Devolli, golat e vonë që i japin frymëmarrje Tiranës

Tirana "zgjohet". Kampionët në fuqi të vendit fitojnë 2-0 përballë Teutës dhe largojnë (të paktën për momentin) problemet e javëve të fundit. Skuadra e drejtuar nga dyshja Tafaj-Dede rikthehet te triumfi në kampionat pas katër javëve, ndërsa tri pikët e djeshme përballë durrsakëve të Mirel Josës shërbejnë për të hedhur pas shpine edhe humbjen e turpshme në Kupë me Luzin. Edhe pse kanë dominuar dukshëm lojën, duke krijuar raste të shumta për shënim në zonën kundërshtare, bardheblutë zhbllokojnë rezultatin vetëm 13 minuta përpara fërshëllimës finale të gjyqtarit Albano Janku. Mbrojtësi Osmani vepron bukur, duke dhënë një pasim perfekt te Muzaka, i cili përshëndet rrjetën. Në sekondat e fundit të ndeshjes ka kohë edhe për rrjetën e dytë, që mban firmën e Bledar Devollit, i rikthyer në formacionin titullar pas dëmtimit. Rikthime të tjera mjaft të rëndësishme për Tiranën në këtë ndeshje ishin edhe ato të kapitenit Devi Muka, i cili ka debutuar në këtë sezon, pas dëmtimit në kupat e Europës, që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë fushave. Edhe mbrojtësi Andi Lila ka përfunduar pezullimin me pesë javë, e dhënë nga Disiplinori i FSHF-së. Në pritje të rezultateve të tjera të javës së tetë, bardheblutë ngjiten provizorisht në vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm, në kuotën e 11 pikëve. Ndërkohë, nuk ka munguar kontestimi i tifozerisë me parullat "Na ktheni Tironën" dhe "Ju nuk e meritoni fanellën". Vetëm barazim pa gola në ndeshjen tjetër të luajtur dje në Kategorinë Superiore, ndërmjet Gramozit dhe Kastriotit. Pas fitores mes polemikave me Skënderbeun një javë më parë, krutanët marrin një pikë mjaft të vlefshme në fushën e rivalëve direkt për mbijetesë. Ndërkohë, skuadra nga Erseka, e drejtuar nga Agim Canaj, vazhdon të bëjë hapa fals në shtëpi: vetëm një fitore në tetë javë nuk mjafton për të siguruar qëndrimin në elitë.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›