E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elbasani “sofra e Ditës së Verës”

13/03/2005  Flet Myneveri (mu në verë), 80-vjeçarja e lindur në Ditën e Verës

Mynever Zaimi, një elbasanase fanatike e Ditës së Verës, mbush nesër, në Ditën e Verës (14 mars 2005), 80 vjeç. Sipas shpjegimit të saj, edhe emrin Mynever, (mu në verë), e ka marrë nga lindja e saj në këtë ditë, vite e vite më parë.

Myneveri, është një mbrojtëse dhe respektuese fanatike e festës së Ditës së Verës, por edhe tifoze e Elbasanit si qytet i traditës dhe arsimit.

“Ballokumja e Elbasanit do të mbetet e tillë, e paarritshme, tregon ajo. Tashmë të gjtihë i kemi përgatitur këto ëmbëlsira që gjithashtu ëmbëlsojnë dimrin e hidhur, i cili për këtë vit ka qenë më i egër”, tregon Myneveri.

Për gjatë gjithë viteve të jetës së saj, ajo tregon se ka festuar gjithmonë në Elbasan, këtë Ditë, duke pritur shumë miq e të afërm.

“Gjatë 80 viteve e kam festuar në Elbasan dhe do të vazhdoj të pres miq dhe të afërm nga të gjithë rrethet, pasi nënkuptimi i Ditës së Verës është bujaria dhe mirësia e familjeve elbasanase”, duke shprehur edhe pakënaqësinë e saj për shndërrimin e 14 marsit në festë politike.

“Nuk jam dakord me këtë politikë që tenton të shkatërrojë edhe festën e Verës”, shprehet ajo mjaft e indinjuar, duke risjellë në kujtesë, vitin e kaluar, ku një sërë festimesh u bënë në Tiranë...!

“Nuk mund të jetë ditë zyrtare, nuk mund të administrohet nga shteti dhe gjithashtu nuk mund të shkëmbehet në këtë mënyrë”, shprehet më pas ajo, ndërsa e quan Elbasanin si “sofrën e Ditës së Verës”.

Zëvendësoi revaninë

Ballokumja, ëmbëlsirë orientale e Ditës së Verës

ELBASAN - Pakkush e di në Elbasan se ballokumja nuk është ëmbëlsira e vërtetë e Ditës së Verës. Sipas studiuesve, ëmbëlsira tradicionale deri në shekullin e XX në Elbasan ka qenë revania. Kjo ëmbëlsirë ka një afërsi me ballokumen, por nuk është e njëjtë. Kur pjesa e revanisë vihej në hisen e Ditës së Verës nuk kishte atë bukuri, siç e merr ballokumja. Nënat elbasanase flluan të shikojnë te ballokumja ëmbëlsirën që kënaqte fëmijët dhe kështu revania tradicionale u zëvëndësuar me ballokumen. Kjo ëmbëlsirë ishte në dy lloje, ballokumja e sheqerit, e cila është edhe ajo e Ditës së Verës dhe ballokumja e brumit, që kishte efekt mjekësor te gratë, që sapo kishin lindur fëmijën.

Vështirësia e të gatuarit dhe receta ka vënë në dilemë shumë amvisa, por transmetimi brez pas brezi i kësaj ëmbëlsire ka bërë që nënat e Elbasanit të jenë të paarritshme në gatimin e kësaj ëmbëlsire.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›