E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kjo ditë ka hapur dyert dhe zemrat e elbasanasve ”

13/03/2005  Kryebashkiaku Ardian Turku, “shpërfill” protokollin

ELBASAN - Rivaliteti i qartë midis qeverisë socialiste dhe një bashkie demokrate është shfaqur ndjeshëm gjatë Ditës tradicionale të Verës, që festohet në Elbasan çdo 14 Mars.

Megjithë tentativën për “privatizimin” e festës, kreu i Bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku, ka bërë një ftesë publike, duke iu larguar protokollit për të gjithë ata që do të duan ta festojnë Ditën e Verës në Elbasan.

“Kjo ditë ka dyert dhe zemrat e elbasanasve hapur”, është shprehur ai, duke respektuar traditën shekullore të zonës.

Duke mos përjashtuar me këtë ftesë as Kryeministrin, kryebashkiaku Ardian Turku, edhe këtë vit, ka kërkuar që qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve dhe gjithashtu të festojnë, pa menduar se tradita mund të vidhet, ajo vetëm trashëgohet brez pas brezi.

Kreu i Bashkisë së Elbasani ka bërë të ditur më pas edhe vështirësitë e festimit e Ditës së Verës në Elbasan.

“Bashkia e Elbasanit e ka të vështirë të përballojë e vetme aktivitetet gjatë festës tradicionale të Ditës së Verës, pasi duket një synim i qartë për të sfumuar traditën, sidomos kur bëhet fjalë për mbështetje ekonomike”.

Ai ka theksuar se, “është mjaft e vështirë që ekonomikisht Elbasani të ketë më shumë organizim gjatë kësaj feste, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka deklaruar mbështetje vetëm për festivalin e këngës popullore qytetare, që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve në Elbasan”.

Sipas Turkut, festa e Ditës së Verës e organizuar edhe në Tiranë ka tërhequr të gjithë investitorët, të cilët kanë mbështetur vitet e kaluara aktivitete të ndryshme të kësaj dite.

Dita e Verës në Elbasan, si tradicionalisht, do të festohet në të gjithë larminë e saj, duke nisur nga panairi i përvitshëm për të vazhduar me aktivitete të tjera, të cilat do t’i sjellin më tepër intensitet festimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›