Elbasani, stafi në alarm për një sulmues me peshë
Drejtuesit verdheblu kanë nisur bisedimet për të gjetur sa më parë zëvendësuesin e Elhan Galicës në repartin e avancuar
Largimi i Elhan Galicës ka lënë një boshllëk të madh në sulmin e Elbasanit. Shkodrani ishte shënuesi më i mirë i skuadrës verdheblu, me 7 gola, ndaj dhe stafi teknik është vënë në alarm, pasi reparti i sulmit mbetet më problematiku.
Edhe në ndeshjen e fundit miqësore, ku Elbasani barazoi 0-0 me Laçin, u panë qartë mangësitë që verdheblutë kanë në fazën sulmuese. Drejtuesit e Elbasanit janë vënë menjëherë në kërkim të një sulmuesi me përvojë, i cili do të mbajë peshën kryesore në repartin e tij gjatë fazës së dytë të këtij kampionati.
Për momentin nuk ka asnjë emër konkret, ndërkohë që përforcimet e bëra në merkaton e dimrit janë vetëm dy. Në skuadër kanë ardhur mbrojtësin Dushku nga Gramshi dhe mesfushorin Bilibashi nga Gramozi. Nga burime pranë skuadrës elbasanase mësohet se shumë shpejt do të gjendet zgjidhja edhe për sulmin, pasi kanë nisur kontaktet me një sulmues të njohur në futbollin shqiptar, por emri i tij mbahet sekret.
Të gjithë presin një Elbasan ndryshe në fazën e dytë, ku do të synohet me të gjitha mundësitë rikthimi në superligë, që do të thotë se nevojitet të paktën vendi i 5-të për të shkuar në play-off. Është e qartë se ky objektiv nuk mund të arrihet, nëse nuk vjen një sulmues me peshë. Elbasani ka shansin që për fazën e dytë shumicën e rivalëve i pret në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku deri tani ka marrë maksimumin e pikëve.
Bylykbashi Në ambientet futbolldashëse të qytetit të Elbasanit flitet edhe për një rikthim të mesfushorit Dorian Bylykbashi. Ky do të ishte vërtet një lajm i bukur për tifozët verdheblu, nëse rezulton i vërtetë. Ende nuk ka një version zyrtar nga klubi verdheblu për mesfushorin me përvojë, që natyrisht do të ishte lideri i Elbasanit në fazën e dytë, nëse do të pranonte të luante për të. Vlerat e tij njihen mirë jo vetëm nga sportdashësit elbasanas.
