E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramozi i rikthehet dashurisë së vjetër, brazilianëve

Nga Kristi Lilo

Portieri Paulo Justo dhe organizatori Karlos Perero janë bashkuar dje me ekipin, ashtu si dhe Arifaj, Nuredini dhe Ismolli

Dita e hënë i ka lumturuar drejtuesit dhe tifozët kolonjarë, pasi më në fund në Ersekë kanë ardhur përforcimet e para për Gramozin. Pesë lojtarë të rinj janë bashkuar dje me këtë ekip, duke ngrohur kështu stafin teknik, por edhe tifozët, të cilët ishin në dyshime sa i takon merkatos.

Brazilianët Dy prej pesë lojtarëve që erdhën dje në Ersekë janë brazilianë. I pari është portieri Paulo Justo, i datëlindjes 11.11.1988, 1.78 m I gjatë dhe që ka luajtur edhe me Santosin. I dyti është organizatori Karlos Perero, i datëlindjes 30.11.1991,1.80 m i gjatë, i aktivizuar me Santosin dhe Bragantinon.

Të dy këta lojtarë i janë bashkuar dje ekipit kolonjar, duke kryer seancën e parë stërvitore. Përshtypjet e para për ta janë pozitive dhe duket se do të jenë pjesë e Gramozit. Trajneri Qirjako, për dy brazilianët u shpreh: Do ti shohim gjatë gjithë javës dhe më pas do të vendosim nëse do të jenë apo jo pjesë e ekipit.

Arifaj & Ishët Një lojtar tjetër i ardhur tek ekipi kolonjar është mesfushori kryeqytetas Admir Arifaj, i cili gjatë fazës së parë ka luajtur për ngjyrat e Partizanit. Po ashtu, janë rikthyer pas një viti mungesë dy lojtarë të njohur për tifozët e Gramozit, konkretisht portieri Nuredini dhe mesfushori Ismolli. Të dy këta lojtarë kanë kontribuar në ngjitjen e këtij ekipi në superiore.

Edhe pse afrimet e fundit e kanë rritur së tepërmi numrin e lojtarëve që stërviten me Gramozin, sipas trajnerit Qirjako, merkatoja nuk është mbyllur. Ai ka sqaruar se pret edhe tre lojtarë, dy nga të cilët janë sulmues dhe njëri mbrojtës.

Lëvizjet e fundit e kanë kënaqur trajnerin kolonjar, që tani ka për detyrë të bëjë seleksionimin, pasi numri i lojtarëve në stërvitje është i lartë. Më parë trajneri Qirjako ka afruar edhe pesë lojtarë nga të rinjtë, të cilët dëshiron ti mbajë në ekip, duke menduar edhe për të ardhmen e Gramozit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›