Lushnja, në Ulqin për të projektuar superligën
Trajneri Saimir Malko pohon se skuadra do të përgatitet në kushte komode dhe do të bëjë edhe ndonjë përforcim
Lushnja do të lërë sot qytetin për ta vazhduar fazën përgatitore të dimrit në Ulqin të Malit të Zi, ku verdhejeshilët kanë qenë edhe në sezonet e tjera. Falë investimit serioz të njësisë vendore me fondet e taksapaguesve lushnjarë, skuadra do të stërvitet e qetë 12 ditë, në kushte mjaft komode. Grupit të futbollistëve deri më tani i është shtuar vetëm mbrojtësi Erin Xhafa, i cili ka lënë Kastriotin e superligës për të kontribuar për skuadrën e zemrës gjatë gjysmës së dytë të kampionatit.
Xhafa është blerja e parë e lushnjarëve, por, sipas burimeve konfidenciale nga klubi, vazhdojnë bisedimet edhe me disa futbollitë cilësorë të shkollës lushnjare. Madje, kanë mbetur vetëm pak gjëra për tu qartësuar para se të firmosen kontratat.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Malko shkon në Ulqin me një grup të konsoliduar futbollistësh dhe me synime të qarta se pas përgatitjeve dhe merkatos e pret një fazë e ngarkuar me emocione dhe me sfida të forta. Verdhejeshilët pretendojnë të kalojnë direkt në superligë dhe për tia arritur qëllimit duhet të fitojnë të paktën një vend në tabelë.
Malko Grumbullimi në Mal të Zi i jep mundësi stafit teknik ta përgatisë sa më mirë grupin e futbollistëve, por edhe ta testojë në ndonjë ndeshje miqësore. Trajneri Saimir Malko shprehet se në Ulqin do të projektohet skuadra e superligës. Do të nisemi për në Ulqin, ku kushtet e stërvitjes janë shumë të mira.
Për këtë një falenderim i madh nga ana jonë si staf dhe futbollistët u takon drejtuesve, me presidentin Fatos Tushe në krye, pasi po mendojnë për më të mirën e mundshme. Nga ana tjetër, do të kërkojmë edhe ndonjë tjetër futbollist, përveç Erion Xhafës. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të punojmë fort për të pasur të gatshme skuadrën që do të ngjitet direkt në superligë. Kemi një objektiv madhor dhe mendoj se do ta realizojmë në fund të kampionatit, – ka theksuar dje trajneri i lushnjarëve, Saimir Malko.
