Elegji e kaltër
Alban Tartari
Ai quhej Andrea. Në fakt emrin e fëmijërisë e kishte Alfred e mbiemrin Kanani. Ja kishte ndryshuar kurbeti në një vend “evropian” ku ende ka mentalitet mesjetar. Ishte vetëm 28 vjeç...aq mundi të jetonte derisa një breshëri, e preu ne mes dhe kurmi i tij përveç një uniforme të kaltër policie, një palë pranga në brez dhe një TT, mori mbi vete edhe 30 plumba! Ishte pranverë dhe ishte mbrëmje dhe ishte në Vlorë, në vitin 1998! La pas Maqon 6 vjeç dhe Alfredinën që sapo kish filluar të hidhte shkelma në barkun e nënës së saj. Vrasësit? Vazhduan jetën e tyre!
E kishte emrin Fran Kaçorri! Sot ka vetëm një gur varri dhe një dekoratë, “Dëshmor i Atdheut”! Dha jetën sepse duhej të lironte qytetarët e pafajshëm nga dy vëllezër mostra, që morën peng autobusin në Rrëshen! I ndodhur në Spitalin Ushtarak si reporter isha gati që mikrofonin që kisha në dorë t’ua flakja kokës kriminelëve që i sollën për t’i kuruar! E kam njohur personalisht djalin e Franit së fundi, një nxënës inteligjent dhe i shkëlqyer në mësime! Frani, nuk u gëzohet dot më notave të tij dhe të dy vëllezërve të tjerë që jetojnë me pensionin dhe kujtimin e një babai madhështor! Vrasësit? Vazhduan jetën e tyre!
Ai quhej Loni Bega. Shoqëronte paratë e pensioneve të hallexhinjve për në një fshat të humbur. Uniforma e kaltër, u skuq kur një breshëri u preu udhën në Drashovicë, aty ku është monumenti më i bukur në Shqipëri. U mundua t’i ruante ato kacidhe të pensioneve të asaj zone, por e pagoi me gjymtimin. Për muaj ndenji në karrige, prej muajsh rënkoi çdo natë...derisa i dha fund jetës së tij, sepse nuk mund të duronte dot më... la pas 3 fëmijë që nuk dihet nëse u ka dalë qoftë për të ngrënë bukë pensioni i babait të tyre... Vrasësit? Vazhduan jetën e tyre!
Quheshin Shkëlzen Dobrushi dhe Ramazan Hila! Sapo do merrnin shërbimin në rrugën e fshatit Shënmëri të Kukësit. Por s’qe e thënë! Ata u vranë ndërsa do pinin nga një kafe. Sërish uniforma e kaltër u skuq. Qindra policë iu qepën maleve derisa e gjetën kriminelin si një mi në një skutë në pyll. Ata lanë fëmijët e tyre, gratë e nënat pas. Vrasësi, në komoditetin e një qelie burgu, vazhdon jetën e tij edhe sot!
7 gusht 2009! Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Fezga lanë shtëpitë e tyre sot për të shërbyer edhe një ditë më shumë. Për t’u përballur edhe një ditë më shumë me të keqen. U nisën në aksion. Nuk prisnin as fusha e as lule. Por as plumba. Një kriminel ordiner u preu shpresat. Dhe i përskuqi prapë e prapë uniformat e kaltra! Theu si qelq në dysheme ëndrrën e familjes së tyre, thërrmoi moralin e shokëve, përdhosi autoritetin e shtetit, e ne të gjithëve! Vrasësi? U kurua në 2 spitale, dhe prite kur të dalë sërish, për të vazhduar jetën e tij!
Gjergj Mehmeti, Allaman Dervishi, Fran Lleshaj, Arben Lasku...janë mëse 300, në vetëm 18 vite! Kur vrasin policët po ne të tjerëve? Kush na mbron e kush na garanton? Ligji? Cili ligj, ai që e lë policin, e qytetarin e thjeshtë të vdesë dhe kriminelin të jetojë? Sepse një fjalë e vjetër thotë “frika e ruan vreshtin” dhe se shoqëria shqiptare, s’mund të jetë aspak e njëjtë me atë suedeze, daneze, angleze, gjermane e me radhë! Por nga ç’të ketë frikë krimineli kur e di se në rastin më të keq do vuajë në një qeli 25 vjet, në më të mirin rast 17 apo edhe 12 vjet me kusht dhe pastaj do vazhdojë jetën e tij?! Kjo nuk është drejtësi, por shtrembësi! Dhe shtrembësia, s’mund të vazhdojë jetën e saj!
Shënim: Të gjitha rastet e mësipërme janë të vërteta.