E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj, presion Beqirit e Belishës për kontratën

 

ADMIR URUÇI

Largimi i mundshëm nga Vllaznia, i mbrojtësit Elvin Beqiri dhe mesfushorit Amarildo Belisha, është kthyer tashmë në një çështje te kuqeblutë. Edhe pse të premten u mësua se dy titullarët u larguan përfundimisht nga ekipi shkodran, gjithçka ndryshoi dje, pas një bisede që lojtarët bënë me presidentin Valter Fushaj. Opsioni i Beqirit për t'u larguar jashtë vendit, ka disa muaj që përflitet, por lojtari ende nuk ka arritur ndonjë akord. Nga ana tjetër, për Belishën u fol me siguri se do të shkëmbehej "kokë më kokë" me Artion Poçin, që është pjesë e Besës. Gjithsesi, as ky variant që u pëlqente klubeve respektive nuk shkoi. Beqiri është nën kontratë me Vllazninë deri në muajin dhjetor të këtij viti, ndërsa Belisha rinovoi edhe për një sezon, pak javë më parë. Tashmë kur pritej që nga dy lojtarët të kishte diçka tjetër në lidhje me ekipet e reja, mësohet se ata i janë kthyer stërvitjes me Vllazninë. Kështu, si Beqiri dhe Belisha kanë udhëtuar drejt Pukës dje, duke vazhduar rregullisht stërvitjen, nën urdhrat e Hasan Likës.
Klauzola
Por çfarë fshihet nga biseda e lojtarëve me presidentin Fushaj? Sipas burimeve të sigurta, kreu i klubit shkodran u ka bërë "presion" lojtarëve në lidhje me kontratën. Madje ai u ka vendosur një klauzolë atyre për të ardhmen. Gjithçka ka të bëjë me largimin e mundshëm të tyre, teksa në këtë pikë Fushaj ka vendosur edhe një afat. Kështu, sipas vendimit të presidentit kuqeblu, Beqiri dhe Belisha do të priten nga klubi deri të shtunën e ardhshme. Pra, ky afat është vënë, në mënyrë që lojtarët të kenë mundësi të gjejnë një skuadër tjetër për të vazhduar karrierën e tyre. Ndërkohë, kjo klauzolë ka edhe diçka tjetër. Më konkretisht, nëse dy lojtarët nuk gjejnë ekip, atëherë kontratat e tyre që janë në fuqi me Vllazninë do të rishikohen. Kjo nënkupton ndryshime në kontratat e firmosura të dy lojtarëve, në mënyrë që ata të vazhdojnë të jenë pjesë e shkodranëve në sezonin e ri. Kështu, Beqirit mund t'i kërkohet rinovimi, e po ashtu Belishës, që ka firmosur në muajin qershor edhe për një vit.      
Mundësitë
Si Beqiri, ashtu edhe Belisha janë dy lojtarë që do t'i donte t'i kishte në skuadër çdo ekip i Superiores. Megjithatë, mbrojtësi shkodran që është pjesë edhe e Kombëtares, dëshiron të vazhdojë karrierën jashtë vendit, teksa mbyll çdo opsion të qëndrimit në Shqipëri dhe në ndonjë skuadër tjetër, përveç Vllaznisë. Ndërsa për Belishën, duket se të gjitha pistat janë të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›