E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika në plazh, 20 ditë burg Sali Lushës

 

Armand Bajrami

Konflikti me forcat e rendit, për volumin e muzikës në kompleksin e tij në bregdetin, lë në "arrest me burg" me afat 20 ditë Sali Lushën, ish-truprojën e kryeministrit Sali Berisha përpara vitit 1997. E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për tre nga tetë të arrestuarit e tre ditëve më parë bashkë me Lushën, ndërsa katër të tjerët janë lënë në masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". Të prangosur nga uniformat blu në orët e para të mëngjesit të së enjtes tetë personat, mes të cilëve edhe Sali Lusha, janë paraqitur dje para togave të zeza të Gjykatës së Kavajës. Caktimi i masës së sigurisë për ta në këtë gjykatë është bërë për shkak se, vendi i arrestimit ishte në juridiksionin territorial të këtij rrethi Gjyqësor. Pasi ka dëgjuar pretendimet e përfaqësuesit të akuzës dhe të mbrojtjes gjykata ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" më afat 20 ditor për Sali Lushën, Avdyl Gjomakajn, Shkëlzen Susën dhe Renaldo Gecajn, ndërsa masën "detyrim paraqitjeje" për Visar Kasharin, Mariglen Bllikun, Rusin Grazhanin dhe Egdar Muçën. Burime brenda seancës pohuan se nga ana e të pandehurve është pretenduar se kanë qenë forcat e rendit ato që kanë provokuar konfliktin. Gjithashtu, ata janë shprehur para gjykatës se muzika ishte fikur dy minuta përpara se akrepat të shënonin orën 24:00. Duke pretenduar për konflikt të nisur pas provokimeve nga ana e policisë Sali Lusha ka pohuar në seancë se "nëse duhet të qëndrojë dikush në burg për këtë punë, më lini mua dhe lirojini të tjerët". Sipas gjykatës, mbi tetë të pandehurit rëndojnë akuzat "prishje të rendit dhe qetësisë publike", "kundërshtim të forcave të rendit" dhe "mosbindje ndaj policisë". Konflikti që përfundoi me arrestimin e tetë personave erdhi vetëm 24 orë pas urdhrit të Policisë së Shtetit për uljen e volumit të lokaleve të bregdetit pas mesnatës. Ndërsa ishin në një kompleks në pronësi të Lushës, pranë vendit të quajtur Shkëmbi i Kavajës, forcat e policisë kanë hasur në kundërshtimin e Lushës dhe 7 personave të tjerë. Konfrontimi fizik mes palëve ka kërkuar prezencën e forcave speciale RENEA, të cilat pas mbërritjes prangosën tetë personat. Gjatë pyetjeve në polici, ata mohuan të kishin kundërshtuar policinë dhe se muzika ishte ulur përpara orarit të caktuar nga urdhri i policisë.

Urdhri i Policisë së Shtetit
Në 24 orë diferencë Policia e Shtetit nxori dy urdhra në lidhje me prishjen e qetësisë publike nga zhurmat e krijuara nga lokalet në zonat turistike. Në datën 5 gusht, Policia e Shtetit urdhëronte mbylljen e muzikës pas mesnatës në baret e zonave turistike nga dita e hënë deri të enjten dhe pas orës 02:00 tre ditë e fundit të javës. Ndërsa të nesërmen e kësaj date, Policia sqaroi se baret mund të mbanin muzikën hapur, por të ulur deri në masën që të mos përbëjnë shqetësim për ndotje akustike. 

Lusha, i pari "i ndëshkuar"
Sali Lusha, ishte i pari person i "ndëshkuar" nga urdhri i Policisë së Shtetit kundër ndotjes akustike në zonat e cilësuara si turistike. Ai u prangos fill pas kontrolleve të para policore për zbatueshmërinë e këtij urdhri. Urdhri që krijoi jo pak reagime, nga ana e pronarëve të subjekteve private, bareve, klubeve e diskove në gjithë vijën bregdetare u duk se do të "thërrmonte" turizmin, deri në "zbutjen" e tij 24 orë më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›