E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Elektra”, premiera e parë e 2010-s

11/01/2010  Teatri
Vuajtjet e njeriut janë “ngjitëse” e të tilla që pavarësisht formës në thelb mbeten të njëjta. Ndaj dhe jo rastësisht tragjeditë fillojnë të përsëriten dhe regjisorët e ndalin shpesh veten para veprave të mëdha të antikitetit grek. Si një thirrje për drejtësi dhe vlera morale, e tillë vjen “Elektra” në skenën e Teatrit Kombëtar duke shënuar edhe të parën premierë për 2010-n në këtë institucion. Tragjedia e Sofokliut mblodhi në një tryezë aktorët më të mirë të Teatrit Kombëtar, regjisorin Adonis Filipi dhe teatrologen Dimitra Kokino, pedagoge e antikitetit në “British Academy of Arts”, Londër për të biseduar rreth shfaqjes që do të vijë premierë në muajin shkurt. Shqipëruar nga Laert Vasili, skenografia mban firmën e Fatbardh Markut, ndërsa koreografia dhe kostumet emra të artistëve grekë. Kasti i aktorëve dhe i teknikës përfshin emra nga më të njohurit e Teatrit Kombëtar si Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Marjeta Larja, Monika Lubonja, Elida Janushi, etj, si dhe artiste të reja të talentuara. Duke e cilësuar si një sfidë skenike teatrore të denjë për ambicien e një teatri prestigjioz si të tillë edhe për Teatrin Kombëtar, artistët e angazhuar në realizimin e “Elektrës” vlerësuan brendinë e ndjerë, konotacionin bashkëkohor dhe fuqinë e shprehjes së kësaj pjese. “Për këtë premierë kemi marrë përsipër angazhimin e potencialeve më të mira artistike”, u shpreh regjisori i shfaqjes, Filipi.
Intrigë dhe luftë për të drejtën
Siç ndodh në tragjeditë e mëdha ndodh që nënat vrasin bijtë e tyre, por edhe e anasjella, madje shpesh kjo bëhet në emër të “së mirës” dhe justifikohet si e drejtë. Kështu ndodh edhe me “Elektrën”… Ngjarjet zhvillohen në pallatin mbretëror të Mikenës me pasuri dhe visare popullore. Kanë kaluar rreth 20 vjet nga vrasja e Agamemnonit dhe Kasandrës (skllaves së tij) të sapo kthyer nga Troja. Vrasja është kryesuar nga çifti i dashnorëve Klitemnmestra (ish gruaja e Agamnenonit dhe mbreti Egist -kushëri i Agamemnonit). Klitemnestra beson se shkelja e kurorës është e arsyeshme, pasi Agamemnoni kishte sakrifikuar Ifigjenian, vajzën e tyre para luftës, për të cilën u dha urdhër nga zotat. Motra binjake, Elektra ka shpëtuar të vëllain e vet Orestin nga masakra, duke e çuar dhe gjetur mbështetje në Fokide. Çifti i zhytur në masakër jeton nën ankthin e hakmarrjes nga i biri i Agamemnonit. Ankthi shoqëron dhe Elektrën që nuk ka marrë asnjë shenjë jete nga i vëllai që jeton me shpresën që një ditë ai do të kthehet të marrë përsëri fronin e qytetit dhe hakun e masakrimit të pabesë të babait të tyre. Ajo jeton si një huaj, e burgosur dhe e përzvaltur nën pushtetin diktues të Klitemnestrës dhe Egistit. E motra, Krizotemi mbi varrin e Agamemnonit zbulon ardhjen e Orestit. Ky i fundit është kthyer bashkë me Piladin shokun i tij, bir i Strofiusit, një mësues i vjetër besnik i Orestit, mbrojtësi e tij, nëpërmjet këtij të fundit i maskuar e si kumtues. Përhapet lajmi që Oresti është vrarë në një garë qerresh në Delf. Kjo do të gëzojë pa masë Klitemnestrën dhe Egistin dhe do të pikëllojë tejet Elektrën. Mbi bazën e kësaj intrige ata futen në pallat dhe me ndihmën e Piladit vrasin nënën e pabesë Klitemnestra dhe Egistin e për rrjedhim Mikenës i kthehet froni në të drejtën e trashëgimtarëve.
Sofokliu është ndër tragjedianët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, ndër përfaqësuesit e shquar të panteonit të antikitetit grek. Ka lindur në Kolonus (495-6 pes), pranë Athinës. Bashkëkohës i Eskilit dhe Euripidit, ka shkruar mbi 100 vepra. Vetëm shtatë prej tyre kanë mbërritur deri në ditët tona, të sjella në pjekurinë e plotë të fuqisë së tij në gjininë e tragjikes dhe satirës, secila me shkëlqimin e vet karakteristik sikurse janë “Edipi mbret”, “Edipi në Kolonë”, “Antigona”, “Ajaks”, “Elektra”, “Gratë Trakiane”, “Filokteti”. “Elektra” është konsideruar gjerësisht si një nga tragjeditë më të mëdha greke, si një nga perlat e të gjitha kohërave dhe për këtë arsye vazhdon të jetë pikë referimi që tërheq vëmendjen e grishjen artistike të mjaft krijuesve, kërkuesve, artistëve, regjisorëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›