Socialistët kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
11/01/2010 Rama dhe deputeti Majko inspektime në Shkodër
Përfaqësuesit e majtë nuk harrojnë t’u kundërpërgjigjen kundërshtarëve
Kampi rozë shton presionin ndaj qeverisë “Berisha”, përveç kërkesës për dorëheqjen e përgjegjësve që sollën përmbytjen në zonat veriore, shtron një tjetër kërkesë: atë të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Situata e rënduar në Shkodër duhet të ndiqet në mënyrë ligjore dhe për këtë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ishte mënyra më e mirë për të bërë të mundur realizimin e hetimit mbi shkaqet që sollën një gjendje të tillë. Deklarata të tilla u lëshuan dje në qytetin verior të Shkodrës nga eksponentë të Partisë Socialiste, të cilët edhe gjatë ditës së djeshme vijuan inspektimet në zonat e përmbytura.
Qëndrimi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga anëtari i kryesisë Pandeli Majko, vijoi dje inspektimin në zonat e përmbytura në fshatin Trush, Kiras dhe lagjen “Zooteknik” në Shkodër. Gjatë këtyre takimeve kreu socialist nuk anashkaloi t’u kundërpërgjigjej deklaratave të ardhura nga drejtuesit qeveritar. Sipas tij, është e turpshme që qeveria merret me opozitën. Për këtë arsye Rama hodhi poshtë pretendimet e ardhura nga kampi blu, sipas të cilave shtabi i emergjencës së Partisë Socialiste është strukturë paralele me atë të qeverisë. “Këto nuk quhen struktura paralele, këto quhen struktura solidariteti, dhe këto struktura solidariteti janë shprehje e një vetëdijeje qytetare evropiane në shekullin e 21-të, që për fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësi për shkaktimin e kësaj katastrofe dhe kanë paturpësinë që të bëjnë politikë”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij sa i takon një çështjeje të tillë. Në gjykimin e tij të gjithë duhet të solidarizohen në këtë çast të vështirë, i cili erdhi si pasojë e keqmenaxhimit hidrik.
Kërkesa
Anëtari i kryesisë së PS-së Pandeli Majko, njëkohësisht deputet i saj, duke çuar më tej kundërvënien ndaj qëndrimeve të mbajtura nga përfaqësuesit qeveritarë si dhe për të bërë të mundur transparencën e kësaj katastrofe, kërkoi që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kjo me qëllim për të menaxhuar situatën në rrugë ligjore. “Situata të ndiqet në rrugë ligjore dhe nuk ka nevojë për deklarimeve komisarësh. Vlerësimi në këndvështrimin tonë kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe hapjen e diskutimit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ka një varg problemesh që po shfaqen në terren, që ka të bëjë më ndihmën e parë që i duhet dhënë popullsisë së përmbytur, deri te verifikimi i dëmeve në ushqim, në të mbjella e sidomos në bagëti”, - deklaroi Majko duke iu referuar situatës në zonat e përmbytura.
Përmbytjet në zonat veriore
Gjiknuri: Berisha dhe Prifti të largohen, ideuan katastrofën
Partia Socialiste u shpreh dje e shqetësuar për mosnisjen e hetimeve nga organi i Prokurorisë për krizën humanitare të krijuar në qarkun e Shkodrës. Një qëndrim i tillë u bë dje i ditur nga deputeti i kësaj partie Damian Gjiknurit, i cili në emër të PS-së kërkoi largimin e kryeministrit Berisha dhe të ministrit Prifti, si ideatorë të politikave të papërgjegjshme që shkaktuan tragjedinë. “Partia Socialiste vazhdon të ndjekë me shumë shqetësim situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Ditë pas dite, nga dëshmitë e ekspertëve dhe të dhënat kontradiktore të qeverisë shqiptarët po mësojnë se shkaku kryesor i përmbytjes nuk është natyror, por njerëzor. Në këto kushte, përpara se Berisha dhe eskorta e tij qeveritare të akuzojë opozitën për përhapje paniku, ai duhet të kërkojë i pari hetime të thella për shkaqet e tragjedisë, nëse nuk e ndien veten e tij fajtor”, - vuri në dukje Gjiknuri lidhur me këtë situatë. Sipas tij, nëse nuk e ndien veten me faj, Berisha duhet të shkarkojë menjëherë Dritan Priftin, i cili me arrogancë dhe neglizhencë duket të ketë shmangur çdo kërkesë që përcaktonte rregullorja në fuqi për menaxhimin e prurjeve ujore. “Nëse nuk vepron edhe pas gjithë këtyre dëshmive, që flasin qartë për përgjegjësitë e ministrit të tij, Berisha duhet të largohet bashkë me të, si ideatori i politikave që parapërgatit situatën që shkaktoi tragjedinë. E njëjta thirrje vlen edhe për prokurorinë, e cila duhet të kishte filluar menjëherë hetimet dhe jo të presë derisa uji të hyjë në zyrat e saj e më pas të kujtohet se paska një përmbytje”, - nënvizoi Gjiknuri gjatë deklaratës së tij.