Pranga bashkëpunëtorit në trafikun e heroinë
11/01/2010 Grekët e kthyen s’kishte cilësi të mirë. Në arrest Baxho dhe Petovas
Droga ishte blerë në Maqedoni dhe dërguar në shtetin helen
TIRANE- Është arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda shtetasi Ardian Dibrani nga qyteti i Elbasanit, pasi nga hetimet paraprake rezulton të jetë bashkëpunëtor i Klevis Baxhos dhe Arjan Petovës, të cilët më 27 dhjetor 2009 u kapën në flagrancë me rreth 4 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Identifikimi i Dibranit është kryer nga gjurmët e gishtave, që ekspertët e Krimeve të Rënda kanë gjetur në pakot e heroinës së sekuestruar, si dhe nga përgjimet telefonike, që i janë bërë dy bashkëpunëtorëve të tij. Mësohet se disa muaj më parë tre shtetasit e mësipërm, kanë mundur të sjellin nga Maqedonia në Elbasan një sasi lënde narkotike, të cilës më pas i kanë shtuar përzierës me qëllim rritjen e sasisë së saj. Menjëherë pas këtij momenti ata kanë filluar të planifikojnë për trafikimin e lëndës narkotike në Greqi, shtet në të cilin kishin gjetur njerëz për pritjen dhe blerjen e saj. Plani i shtetasve të arrestuar Ardian Dibrani, Klevis Baxhos dhe Arjan Petovës, ka marrë jetë duke e kaluar lëndën narkotike përtej kufirit me Greqinë. Sasia prej 4 kg është dorëzuar në disa persona ende të paidentifikuar, të cilët pasi kanë provuar mallin nuk i kanë dhënë “ok” për blerjen dhe shpërndarjen e heroinës në qytetet greke. Shkak i kësaj sipas hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë cilësia tepër e dobët e lëndës narkotike, gjë e cila ka bërë që pritësit ta rikthejnë përsëri në Shqipëri. Për të mos rënë në sy të policisë, autorët kishin zgjedhur një televizor ku kishin futur pakot e drogës. Ideja e tyre ka qenë pozitive në doganën e Kapshticës, pasi asnjë nga efektivat e policisë nuk ka pikasur lëndën narkotike. Kjo e fundit më pas është transportuar në drejtim të qytetit të Elbasanit, ku përgjatë unazës është bërë edhe ndalimi i dy autorëve Klevis Baxho dhe Arjan Petova si dhe në të njëjtën kohë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 4 kg lëndë narkotike. Një javë pas ndalimit të tyre është mundësuar edhe arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër Ardian Dibrani, ndaj të cilit u ngrit akuza e “trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim.