E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elezaj s’ka shkuar në banesë

02/08/2011  Akuza dyshon se pas lirimit nga burgu Elezaj është strehuar në ndonjë banesë të dytë që disponon

Biznesmeni mund të fshihet te ndonjë i njohur, prej 6 ditësh kërkohet nga prokuroria

TIRANE- Pas lirimit nga qelia biznesmeni Hajri Elezaj duket se nuk ka shkuar fare në shtëpinë e tij, por është strehuar në ndonjë banesë të dytë që ai zotëron ose në shtëpinë e ndonjë mikut të tij. Ky është dyshimi më i arsyeshëm i prokurorëve të njësisë hetimore Task-Forcë, të cilët prej gati një jave kanë shpallur në kërkim biznesmenin e proceduar për kontrabandimin e rreth 80 mijë tonelata naftë virgin. Burimet tregojnë se që prej datës 4 korrik, kur Elezaj ka përfituar nga gjykata e Tiranës ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, biznesmeni mund të jetë strehuar në ndonjë nga banesat e dyta që ai disponon ose te shtëpia e të afërmeve apo rrethit shoqëror që ai ka. Hetuesit shprehen se pas kapërcimit të derës së burgut Elezaj s’ka shkuar në shtëpinë, ku prokuroria dhe policia e kishin lokalizuar si adresë. Ky dyshim vjen menjëherë pas kontrollit në banesën e banimit, në të cilën nuk është konstatuar prania e biznesmenit Elezaj, të cilin një javë më parë Gjykata e Apelit vendosi ta rikthejë në burg. Burimet tregojnë se ka shumë mundësi që biznesmeni i kompanisë së naftës “Euroil” të qëndrojë i fshehur në këto banesa, për të cilat prokuroria dhe policia nuk kanë informacion mbi adresat e tyre. Nga verifikimet e bëra në sistemin elektronik TIMS rezulton se biznesmeni nuk ka dalë jashtë shtetit, gjë e cila rrëzon dyshimet për një arratisje të tij në vendet fqinje. Momentalisht Hajri Elezaj është shpallur si person në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe aktualisht policia po kryen verifikime për vendndodhjen e banesës ku qëndron i fshehur biznesmeni i kompanisë “Euroil”, njëherësh dhe kompanisë së ujit “Lajthiza”. Ndaj kësaj kompanie që prej muajit qershor prokuroria e Tiranës ka vendosur masën e sekuestros prenvetive, e cila ndalon shitjen apo tjetërsimin e fabrikës së ujit “Lajthiza”. Vendimi për sekuestrimin e kësaj kompanie erdhi menjëherë pas dyshimeve se shuma të mëdha financiare që Hajri Elezaj i ka fituar nga kontrabanda e naftës virgine, financoheshin në kompaninë e ujit “Lajthiza”. Veç kësaj me urdhër të prokurorisë janë sekuestruar dhe rreth 20 kamion-cisterna që ishin në pronësi të dy kompanive “Euroil” dhe “Fisheku”, që sipas njësisë hetimore Task-Forcë kanë kryer përgjatë viteve 2007-2009 kontrabandimin e tonelatave të naftës virgin. Momentalisht prokuroria vijon hetimet rreth kësaj dosje dhe pritet që në muajt në vazhdim, persona të tjerë të vihen nën përgjegjësi penale lidhur me kontrabandën e naftës virgin.

Më 11 gusht shtyhen me 3 muaj hetimet

Më 11 gusht pritet që njësia hetimore Task-Forcë të shtyjë dhe me tre muaj të tjerë afatin e hetimit për dosjen e kontrabandës së naftës virgin. Shtyrja e hetimeve sipas prokurorisë bëhet për shkak se ende prokuroria është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve, por dhe se që prej disa muaj akuza pret përgjigjen zyrtare nga 6 shtete të Evropës, ku ka dërguar letër-porosi rreth kësaj çështje. E vetmja përgjigje që ka mbërritur në adresë të njësisë Task-Forcë është ajo e ardhur nga Irlanda dhe Italia, që konfirmojnë kontrabandën e naftës virgin. Sipas përgjigjes së kthyer nga Italia, shifrat e tonelatave të naftës virgin nuk përputhen me ato që kanë treguar firmat “Euroil” dhe “Fisheku”. Ndërkohë përgjigjja e ardhur nga Irlanda tregonte se nga në doganat e saj nuk ka hyrë asnjë litër naftë nga Shqipëria. Vetëm këto dy letër-porosi kanë vënë me shpatulla pas muri 13 të arrestuarit e kontrabandës së naftës virgin, ndërkohë që mjaft prova dhe fakte njësia Task-Forcë ka arritur t’i mbledhë dhe në Shqipëri. Momentalisht të vetmit persona që janë shpallur në kërkim për llogari të kësaj çështje janë biznesmeni Hajri Elezaj dhe menaxheri i “Euroil” Bledar Rama, i cili dyshohet se fshihet në shtetin grek.

“Euroil”, 4 milionë euro nga subvencionimi

Kompania “Euroil”, që plotësonte dokumentacionin sikur kryente eksportimin e naftës virgin, duket se ka mundur të fitojnë miliona euro falë mashtrimit të dyfishte që u bënin jo vetëm konsumatorëve, por dhe vetë shtetit. “Euroil”, sh.a, nëpërmjet një skeme mashtrimi tepër të organizuar mendohet se ka arritur të tërheqë në mënyrë të padrejtë plot 4 milionë euro nga buxheti i shtetit. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime pranë njësisë antikorrupsion, që thanë se kompania e sipërcituar ka fituar nëpërmjet subvencionit nga 2 milionë euro në vit. Këto para ishin një përfitim i dytë që merrej në dorë (cash), veç përfitimit tepër të majmë që dilte nga procesi i përzierjes së naftës virgin dhe tregtimin e saj me çmimin 130 lekë të vjetra litri. Sipas burimeve të prokurorisë, kompania private mendohet të jetë rimbursuar nga shteti me rreth 4 milionë euro TVSH për eksportin e llumit, pra verginës, eksport i cili në fakt nuk është kryer kurrë. Mashtrimi tregon nivelin e lartë të korrupsionit në administratën e Drejtorisë së Doganave, por dhe të Tatim-Taksave, të cilat kanë për detyrë të monitorojnë me mjaft përgjegjësi çdo produkt që eksportohet dhe tregtohet brenda territorit të vendit.

Policia forcon masat për rendin

Për dy muaj në

vend hynë 1,6

milion persona

Rreth 1 milion e 600 persona kanë hyrë në vendin tonë nga pikat e kufitare gjatë periudhës 1 qershor deri në 31 korrik 2011. Fluksi i madh i hyrjes së shtetasve brenda territorit shqiptar është dhënë nga Policia e Shtetit, e cila njoftoi se për të përballur situatën nga radhët e gjata të krijuar nga vërshimi i emigrantëve ka ngritur sportele shtesë në disa pika doganore, si në Kakavijë, Kapshticë dhe porti i Durrësit. Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, janë plot 716 mijë e 386 persona shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 913 mijë e 445 shtetas janë të huaj. Sipas policisë, gjatë këtij viti numri i personave që kanë hyrë në vendin tonë është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shumë nga persona e huaj që kanë hyrë në Shqipëri janë turistë që kanë vendosur të pushojnë në territon shqiptar. Ndërkohë që për të siguruar rendin në këtë sezon veror policia ka marrë një sërë masash në rrugët nacionale dhe qendrat turistike bregdetare dhe malore. Pritet që gjatë muajit gusht numri i personave që do hyjnë në Shqipëri të ritet, pasi kjo periudhë cilësohet si kulmi i sezonin turistik në vendin tonë. Masat e marra për këtë sezon veror janë thuajse të njëjta me ato që policia ndërmori vitin e kaluar, ku dhe numri i turistëve ishte tepër i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›