E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina, 500 mijë euro, në gjyq 2 biznesmenët e orizit

02/08/2011  Blerja me 40 mijë euro të 8 kg në Bolivi dhe fshehja në kontejnerin me 150 tonë oriz

TIRANE¬- Tre persona kanë mundur të thyejnë të gjitha barrikadat e kontrollit të drogës, duke mundur të trafikojnë nga Bolivia në drejtim të Shqipërisë një sasi prej 8 kg lëndë narkotike të llojit kokainë. Sasia e drogës, sipas përllogaritjeve të bëra nga specialistët e prokurorisë, duket se kap shifrën rreth 500 mijë euro dhe malli me vlerë ishte fshehur në një kontejner të ngarkuar me thasë orizi. Si pronarë të lëndës narkotike Prokuroria e Krimeve të Rënda ka identifikuar shtetasit Eduard Pelushi, Ergys Salku dhe Denis Braho, tashmë të arrestuar. Ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Çështja në ngarkim të tre të pandehurve momentalisht është dërguar në gjykatë dhe pritet që në muajin shtator të fillojë shqyrtimi gjyqësor, ku gjyqtar i procesit do të jetë Fran Prendi. Veç akuzës së trafikut të narkotikëve Prokuroria i ka gjetur fajtorë tre të pandehurit edhe për akuzën e falsifikimit të pasaportave dhe vizave dhe falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga Prokuroria, rezulton se në muajin tetor 2010 autoritetet italiane kanë sinjalizuar palën shqiptare se një kontejner me një ngarkesë prej 150 tonë oriz dhe me 8 kg kokainë të fshehur ishte drejtuar në portin e Durrësit. Kaq ka mjaftuar që Krimet e Rënda të lokalizojnë personat që kishin porositur mallin me vlerë dhe të vënë në përgjim e mbajtur në mbikëqyrje çdo lëvizje të tyre. Nga verifikimet e kryera rezultoi se destinacioni i kontejnerit ishte kompania e biznesmenit tashmë të shpallur në kërkim Denis Braho, ndërkohë që dërguesit e saj nga Bolivia ishin dy të pandehurit e tjerë, biznesmeni Eduard Pelushi dhe shtetasi Ergys Salku. Sipas Prokurorisë, lënda narkotike ishte blerë qytetin Santa-Kruz në Bolivi me një çmim prej 40 mijë euro, ndërkohë që ishte planifikuar për ta trafikuar në shtetin grek dhe italian, ndërsa një pjesë tjetër do të shpërndahej në tregun vendas. Sapo kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit, biznesmeni Denis Braho ka urdhëruar të pandehurit Salku dhe Pelushi që të shoqëronin nga Durrësi në një bllok pallatesh që ndodhet në zonën e Yzberishtit. Menjëherë sapo lënda narkotike ka mbërritur në Tiranë, ka ndërhyrë policia, duke mundësuar sekuestrimin e ngarkesës dhe arrestimin e dy personave që shoqëronin mallin.

Viza false

Nga kontrolli i banesës së Ergys Salkut janë sekuestruar jo vetëm dokumente personale të tij, por dhe një pasaportë e vizë me foton e 37- vjeçarit Eduard Pelushi, por me emrin “Sokol Golemi” dhe të dhëna të tjera që nuk përputheshin me ato të të arrestuarit.

Mister udhëtimi

Prokuroria ka konstatuar se Eduard Pelushi më datën 4 gusht 2010 ka lënë Bolivinë dhe ka hyrë në Argjentinë, më pas me një avion tranzit ka udhëtuar në SHBA për tu drejtuar në Itali me destinacion Rinasin. Nga kjo vizitë dyshohet se është porositur dhe kokaina.

Verifikim në TIMS

Nga verifikimi i sistemit TIMS dhe këqyrja e pasaportës origjinale të Eduard Pelushit janë konstatuar dhjetëra hyrje-dalje në shtetet e Amerikës së Jugut. Nga marsi i 2007 Pelushi figuron se ka hyrë dhjetëra herë në Argjentinë dhe shtete të tjera të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›