E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça hyn në muajin e madhënueshëm të Ramazanit

02/08/2011  Biznesmenët myslimanë ndjekin traditën e bamirësve të themeluesit të Korçës

KORÇË- Ashtu si gjatë 20 vjetve të fundit, edhe këtë vit qyteti i Korçës hyri në muajin e madh të Ramazanit. Mijëra besimtarë myslimanë korçarë shprehin devotshmërinë e tyre për të respektuar të gjitha ritet e agjërimit. Për ta muaji i Ramazanit është një muaj tejet i veçantë, pasi gjatë këtij muaji filloi dhe përfundoi shpallja e Kuranit te profeti Muhamet. Për këtë arsye numri i besimtarëve myslimanë që agjërojnë është rritur nga viti në vit, duke përfshirë të gjitha familjet myslimane, madje edhe pjesëtarët më të rinj të familjes. Gjatë muajit gusht Korça merr një shkëlqim tjetër, duke u rrethuar nga një aureolë mirësie. Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndriçim dritash neoni, por për një shkëlqim që buron nga shpirtrat e besimtarëve.

Muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës, i mirësisë, i lutjes dhe i faljes

Korça ndryshe

Fillimi i muajit të Ramazanit ndihet në të gjithë qytetin. Lokalet dhe kafenetë fillojnë e boshatisen, ambientet e argëtimit frekuentohen gjithnjë e më pak. Korça fillon e përjeton një ndjesi tjetër, sepse, ndryshe nga sa mendohet, Korça nuk është vetëm një qytet ortodoks. Besimtarët bëjnë të gjitha përpjekjet për të qëndruar larg veseve, tundimit, smirës, zilisë e shpirtvogëlsisë. Gjithkush prej besimtarëve duhet të kthehet te njeriu i Zotit. Shpirti i tij duhet të fitojë zemërgjerësinë, t’i rikthehet shpirtit të vërtetë që i ka dhuruar Zoti. Por jo vetëm kaq, besimtarëve myslimanë, atyre që kanë mundësi, u kërkohet të bëjnë mirësi te familjet e varfra, te jetimit e te çdo njeri tjetër që ka nevojë për një mirësi, qoftë edhe për një pikë ujë. Kjo gjë ka ndodhur çdo vit, kështu ka për të ndodhur edhe gjatë këtij muaji. Vetë themeluesi i Korçës, Iljaz bej Mirahori, njihet si një nga bamirësit më të mëdhenj të qytetit të Korçës. Të gjitha pronat e tij ai i ktheu në vakëve, me qëllimin e vetëm që jetesa e njerëzve të bëhej më e lehtë, ndërsa me pasurinë e tij do të ngrinte shkolla për fëmijët, institucione bamirësie, mensa dhe kuzhina për të gjithë udhëtarët, të vobektit dhe studentët. Kjo traditë po vërehet mjaft qartë edhe te biznesmenët myslimanë, bamirësitë e të cilëve gjatë muajit të Ramazanit janë shumta.

Kthimi i emigrantëve

Megjithatë, me fillimin e muajit të Ramazanit Korça merr një gjallëri tjetër. Janë të shumtë emigrantët që punojnë në vende të ndryshme të botës dhe që preferojnë që muajin e Ramazanit ta kalojnë në atdhe, pranë familjeve të tyre, duke lënë pas argëtimet që u ofrojnë vendet ku jetojnë. Nuk është e rastësishme që në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dita e hënë shënoi numrin më të madh të emigranteve që hynë në Shqipëri. Shumë prej tyre pohuan se kishin dëshirë që muajin e agjërimit ta kalonin pranë familjeve të tyre. Burime pranë doganës së Kapshticës bënë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit u kthyen në vendlindjet e tyre rreth 8000 emigrantë. Për këtë arsye doganës shqiptare iu desh që të punonte me 8 sportele, ashtu sikurse edhe dogana greke shtoi sportelet e saj. Sipas burimeve në fjalë, pritet që fluksi të jetë i njëjtë edhe në ditët në vijim. Fillimi i muajit të Ramazanit u përshëndet edhe nga myftiu i Korçës, hazhi Qazim Muçi, i cili i uroj besimtarët myslimanë një agjërim të lehtë e të pranuar nga Zoti. Ai nuk la pa përmendur edhe mirësitë që duhet të bëjë një besimtar mysliman. Përshëndetjen e tij myftiu i Korçës e mbylli me fjalët: “Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju!”

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›