E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Doçit, pyeten katër shokët e viktimës

02/08/2011  Ekspertim mikroskopik të 8 gëzhojave të gjetura në vendngjarje

Verifikim pamjeve filmike, skaner së kaluarës së noterit

TIRANE- Policia dhe prokuroria kanë pyetur rrethin shoqëror të 33-vjeçarit të vrarë Sokol Doçi, i cili u ekzekutua me tre plumba disa ditë më parë nga persona ende të paidentifikuar. Kanë bënë rreth katër persona, miq dhe shokë të noterit të vrarë, që ditën e djeshme janë pyetur nga anëtarët e grupit hetimor rreth vrasjes mafioze të mikut të tyre Sokol Doçi. Para oficerëve të policisë gjyqësore ata kanë treguar se viktimën e njihnin si person pozitiv dhe nuk kishte hasmëri, konflikte apo kontradikta me persona të ndryshëm. Mësohet se shokët e viktimës, ashtu si një ditë më parë familjarët, janë pyetur nëse 33-vjeçari Doçi kishte borxhe financiare, por një fakt i tillë është mohuar nga dëshmitarët. Pavarësisht këtyre deklarimeve, prokuroria së bashku me policinë e Tiranës janë duke kryer verifikime mbi këtë pistë. Ndërkohë që rrethi shoqëror i Sokol Doçit i kanë treguar policisë dhe prokurorisë se 33-vjeçari nuk qëndronte asnjëherë i fshehur apo t’i ndruhej ndonjë hakmarrje dhe sulmi kriminal. Gjatë gjithë kohës rrethi shoqëror e ka njohur si person joproblematik. Dëshmitë e shokëve të viktimës i janë bashkuar dhe rreth 30 deklarimeve të tjera, që momentalisht janë administruar në dosjen penale që bën fjalë mbi mënyrën dhe rrethanat e ekzekutimit mafioz të noterit Sokol Doçi. Shumë shpejt prokuroria dhe policia do të verifikojnë pamjet filmike që do merren nga disa biznese që ndodhen në zonën e “Ali Demit”, por sqarojnë se sërish çështja paraqet vështirësi për sa i përket gjetjes së provave të identifikimit të autorëve. Momentalisht grupi i hetimit po heton në të gjitha drejtimet, por ende nuk ka dalë në disa pista konkrete. Kjo për shkak edhe të lidhjeve shoqërore që viktima ka pasur me persona kriminalë në fushën e biznesit, jurisprudencës dhe çështje të tjera. Aktualisht prokuroria ka urdhëruar ekspertimin e 8 gëzhojave të sekuestruara në vendin e ngjarjes, që ua ka dorëzuar specialistëve të laboratorit të policisë shkencore. Shpresohet se nëpërmjet këqyrjes mikroskopike ekspertët të arrijnë të gjejnë gjurmë gishti të autorëve apo të zbulojnë elemente krahasuese në gëzhoja. Vrasjes së noterit Doçi po i kushtohet një vëmendje maksimale nga prokuroria dhe policia, për shkak se në hetimet paraprake duket se ngjarja ka lidhje dhe me dy atentate të tjera të regjistruara në Tiranë.

Doçi dhe Prudentino

Sokol Doçi ishte një nga anëtarët e bordit mbikëqyrës të kompanisë “Betting System Albania”, firmë kjo ku ishte aksioner dhe djali i bosit të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita” Anxhelo Prodentino. Kjo kompani aktualisht është sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe është në fazën e gjykimit për konfiskimin e plotë.

Doçi dhe 2 atentatet

Vrasja e noterit 33 vjeçar duket se për policinë dhe prokurorinë lidhet dhe me dy atentate të tjera të ndodhura në kryeqytet. I pari atentat bën fjalë për tritolin C-4 të vënë në makinën e avokatit me inicialet G.Gj., ndërsa atentati i dytë lidhet me ngjarjen që u krye një javë më parë në Tiranë, ku mbeti i plagosur shtetasi me inicialet R.T.

30 dëshmitarë

Rreth 30 persona janë pyetur për llogari të dosjes penale që bën fjalë për vrasjen e noterit Sokol Doçi. Dëshmitarët i përkasin rrethit familjar dhe atij shoqëror të viktimës, ndërkohë që pak persona janë pyetur si dëshmitarë në vendin e ngjarjes. Kjo për shkak se krimi ndodhi në orën e mesnatës 1:30, ku rruga thuajse nuk kishte fare kalimtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›