E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elezi: Këndezi tregoi autorët e vrasjes së Gjergji Mehmetit



Dëshmitari Gërdhuqi: Pas ngjarjes, në Qafë-Gjashtë pashë një person të lidhur pas peme, si dhe Xhevat Koçinë, që u mbante fjalim 700 personave

Mjaftuan dy dëshmitarë dje që të hedhin dritë mbi disa episode të masakrës së Qafë-Gjashtës, personave që kanë rrëfyer në fillim çfarë ka ndodhur realisht atë ditë, vrasja dhe më pas djegia e punonjësit të policisë, Gjergji Mehmeti, si dhe personat e implikuar në këtë krim mizor. Të pandehurit, sipas dëshmitarit të thirrur nga gjykata, i “tradhtoi” Vladimir Këndezi, madje duke inkriminuar edhe veten. “Vrasja dhe djegia e efektivit të policisë, Gjergj Mehmeti në Qafë-Gjashtë është treguar nga i pandehuri Vladimir Këndezi”. Këtë fakt e deklaroi para togave të zeza dëshmitari Myzafer Elezi, oficer i Policisë Gjyqësore, i cili kishte kryer edhe veprimet e para hetimore në lidhje me ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997. “Në vitin 1999 së bashku me shefin tim, Edmond Kule, dy kolegë kemi shkuar në Sarandë për të marrë deklarime në lidhje me këtë ngjarje. Mbaj mend që është pyetur në cilësinë e personit që është zhvilluar hetimi, Vladimir Këndezi. Ai ka dhënë deklarime në lidhje me këtë ngjarje, duke shpjeguar se ishte i përfshirë edhe vetë. Mbaj mend se ka qenë i armatosur. Ndërsa ka përmendur edhe emrat e Vladimir Sinanit, të vëllait të tij, Nestor Sinanit, Eduart Çipës, një person që quhej Bubeqi, Ristan Llapit, Argon Qurkut, si dhe të dy personave me të njëjtin mbiemër me të”, - deklaroi dje dëshmitari. Ka qenë ky momenti kur dy vëllezërit Sinani kanë reaguar ndaj dëshmisë që nga kafazi, duke deklaruar se “jeni duke bërë teatër me ne, më vjen keq për drejtësinë. Ne kemi qenë në detyrë, gënjen dhe je oficer i Policisë Gjyqësore”. Pas këtij debati, dëshmitari Elezi ka treguar se Këndezi ishte arrestuar nga ana e tyre. Dëshmitari gjithashtu shpjegoi se gjatë 4 marsit të vitit 1997 në Qafë-Gjashtë ishte vrarë dhe djegur efektivi i policisë, Gjergj Mehmeti, ishte marrë peng Eduard Aliaj, ndërsa kishin mund të shpëtonin Sokol Bizhga dhe Myzafer Blushi.

Dëshmia

I dënuar për vrasje, Robert Gërdhuqi është shoqëruar dje nga policia për të dëshmuar mbi masakrën e Qafë-Gjashtës, ku ka mbetur i vdekur punonjësi i policisë, Gjergji Mehmeti dhe është mbajtur peng punonjësi tjetër i policisë, Eduard Aliaj. Gjatë dëshmisë së tij, Gërdhuqi, i njohur dikur me pseudonimin “Kapo”, është munduar të mos japë detaje rreth ngjarjes apo asaj që kishte parë dhe dëgjuar, por nuk ka ngurruar që para togave të zeza të japë disa nga emrat e personave që ka parë ditën e masakrës në Qafë-Gjashtë. “Atë ditë në Qafë-Gjashtë, kur jam kthyer nga fshati Metoq, kam parë një grumbull prej 700-1000 personash te lapidari. Ishte duke u mbajtur një miting. Pashë Eduard Çipën, Xhevat Koçinë që po mbante fjalim dhe Edmond Sejkon. Kishte edhe të tjerë sarandjotë, por që nuk më kujtohen për momentin”, - ka rrëfyer dëshmitari Gërdhuqi, i cili është kundërshtuar për këtë pjesë të dëshmisë nga prokurori i çështjes, Adnan Xholi. Sipas prokurorit, gjatë deklarimeve të dhëna për këtë ngjarje, ky person ka dëshmuar se i ka parë këta persona të gjithë të armatosur, ndërkohë që ka pasur edhe vetë një armë, tip pistoletë. Sipas prokurorit, për momentin e mbërritjes në Qafë-Gjashtë, dëshmitari Gërdhuqi ka deklaruar se “kur mbërrita aty, pasi u ktheva me makinë nga fshati Metoq, pashë një person që mbahej i lidhur pas një peme, ndërsa të tjerët ishin me armë rreth tij. Kam fiksuar Eduard Çipën, Agron Qurkun nga Tepelena, të cilin e pashë që drejtonte një tank. Pashë edhe Xhevat Koçinë që ishte duke folur”. Po lidhur me masakrën, dëshmitari ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por një fakt të tillë e ka mësuar në lokalin ku ka qenë duke pirë kafe. Sipas tij, kishte dëgjuar se në Qafë-Gjashtë po bëhej luftë me ata të SHIK-ut, ndërkohë që kishte mbetur i vdekur polici Gjergji Mehmeti. Kur ka kaluar në Qafë-Gjashtë për kuriozitet, ka parë dy makina që po digjeshin, njëra prej të cilave me targa Vlore. Ndërkohë që në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, dëshmitari ka mohuar dy fakte, personat që ka parë të armatosur në Qafë-Gjashtë para dhe pas ngjarjes, si dhe faktin që ka parë personin e lidhur, që e mbanin peng, ndërkohë që përreth tij ishin të armatosur Eduard Çipa, Edmond Sejko, Xhevat Koçia dhe nën drejtimin e tankut, Agron Qurku.

Debatet

Largimi i njërit prej avokatëve nga salla e gjyqit u bë shkak dje për ndërprerjen e seancës dhe për pasojë, pamundësinë për të dëshmuar të 5 dëshmitarëve që kishin ardhur nga Saranda. Madje, këta të fundit nisën rebelimin në sallën e gjyqit, por janë ndërprerë nga kryesuesi i trupit gjykues, i cili është shprehur se ndërprerja ka ndodhur për shkak të avokatit, i cili u largua nga salla e gjyqit dhe nuk kishte mundësi mbrojtjeje për të pandehurin në mungesë. Madje, largimi i njërit avokat në mes të seancës dhe zëvendësimi i tij nga togat e zeza me avokat kryesisht, bëri që mes kryesuesit të seancës, Fran Prendi dhe avokatëve, të nisë debati. Sipas gjyqtarit, është e patolerueshme që avokati të braktisë gjyqin në mes të zhvillimit të tij dhe të shkojë në një gjyq tjetër dhe më pas të kthehet kur gjyqi është duke u zhvilluar, dhe mbrojtja e tij është zëvendësuar me avokat kryesisht. Për këtë arsye, gjyqtari Prendi deklaroi se do vërë në dijeni Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, si dhe do pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›