E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet arsenal armësh, pranga dy vëllezërve

Policia ka vënë në pranga Julian e Andi Shotën pas kontrollit të ushtruar në automjetin e banesën e tyre


KRUJË - Policia e Krujës gjen arsenal armësh në një banesë, ndërsa në pranga vihen Julian e Andi Shota.

Burime zyrtare nga uniformat blu shprehen se kontrolli në banesën e shtetasit Prend Shota erdhi pas disa të dhënave operative se ata mbanin armë pa leje. Bëhet e ditur se dy të rinjtë dyshoheshin se ishin persona që lëviznin me mjetin e tyre dhe qëllonin me armë automatike në qytetin e Fushë-Krujës.

Si rrjedhojë, pasditen e së dielës, pas informacioneve se në automjetin tip "Volksvagen" me targa TR 8234 B lëviznin dy të rinj të armatosur, policia është vënë në lëvizje. Në këtë automjet, i cili drejtohej nga Julian Shota është gjetur në sediljen e pasme një armë, tip "kallashnikov". Pas shoqërimit në komisariat të të rinjve, policia ka kryer kontroll në shtëpinë e Prend Shotës, ku është gjetur një arsenal armësh. Kështu, në banesë janë gjetur:

2 automatikë kallashnikov me 2 krëhëra të mbushur me nga 30 fishekë; 1 pistoletë TT me 3 krehëra dhe 40 fishekë; 5 kallëpe tritoli me nga 200 gr secili TNT; 7 granata ofensive ngjyrë jeshile; 2 granata difensive të zeza; 6 granata dore; 4 fitilë zjarrpërcjellës me nga 7,4 metër gjatësi; 27 kapsolla detonatore; 750 fishekë automatiku; 5 copë ndezës shkrehës; 30 kapsolla elektrike; 2 predha artilerie antitank.

Pas sekuestrimit të armëve dhe municionit është vendosur arrestimi në flagrancë i Julian dhe Andi Shotës. Sipas burimeve nga policia, po hetohet për përfshirjen e të rinjve në ndonjë tentativë për vrasje, duke qenë se njihen si persona problematikë në qytet. Pistë tjetër është edhe trafiku i armëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›