E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga doganierit, ndihmoi në futjen e mallrave kontrabandë



Arrestohen Agron Basha nga Lazarati dhe Pëllumb Kaziu, tregtari që bashkëpunoi me doganierin për futjen e mallrave

Një doganier në pikën doganore të Kakavijës është vënë në pranga, pasi akuzohet se kishte ndihmuar në futjen e mallrave kontrabandë një tregtar. Policia e Gjirokastrës arrestoi dje 43-vjeçarin Agron Basha, lindur dhe banues në Lazarat. Gjithashtu, nga uniformat blu është ndaluar edhe tregtari Pëllumb Kaziu, 37 vjeç, i cili në bashkëpunim me Bashën kishte arritur që të fuste mallra në vend, pa paguar asnjë detyrim doganor. 37-vjeçari ishte duke lëvizur me një fuoristradë, në të cilën kishte ngarkuar 16 televizorë plazma, kur është ndaluar nga policia. Pasi makina e tij i është nënshtruar një kontrolli, është marrë në pyetje dhe prej andej ka rezultuar se këto mallra ishin futur kontrabandë nga ai, në bashkëpunim me punonjësin e pikës doganore. Policia ka kryer më pas arrestimin e doganierit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Gjirokastrës, 37-vjeçari udhëtonte drejt Greqisë, duke blerë mallra të ndryshme. Ai kishte udhëtuar sërish këtë herë në vendin fqinj, ku kishte marrë 16 televizorë plazma, të cilët do t’i sillte në Shqipëri për t’i shitur. Kur kishte shkuar në pikën doganore, në bashkëpunim me 43-vjeçarin doganier, ai i kishte futur ato kontrabandë, duke iu shmangur pagimit të taksave të shtetit shqiptar. Ndërsa ishte duke udhëtuar me makinën e tij fuoristradë, tip “Mitsubishi” është ndaluar nga policia në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë dhe në momentin e ndalimit ky shtetas u është prezantuar punonjësve të policisë si oficer policie i Krimit Ekonomik në Tiranë, ndërkohë që në automjetin e tij mbante një fenelinë me ngjyrë blu të ndezur mbi kabinë, si dhe një tabelë si ato që përdor Policia Rrugore për ndalimin e automjeteve. Punonjësit kanë parë të ngarkuar televizorët në makinën e 37-vjeçarit dhe i kanë kërkuar atij dokumentet. Pas verifikimit të bërë, ka rezultuar se Kaziu nuk ishte punonjës policie dhe ai nuk kishte asnjë dokument që të vërtetonte se për mallrat e marra ishin shlyer detyrimet doganore. Sipas burimeve nga policia, Kaziu rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm penalë, pasi ai ka qenë i dënuar më parë me pesë vjet heqje lirie në vitin 1995 për vjedhjen e një makine. Të dy personat e arrestuar janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Punonjësi në pikën e Kakavijës akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërkohë që Pëllumb Kaziu, për kryerjen e veprës penale të “kontrabandës me mallra të tjera” dhe për “përvetësim të titujve apo të detyrës shtetërore”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›