Zënkat mes fëmijëve, shkak i vrasjes së 38-vjeçarit nga Korça
Policia e kryeqytetit prangos autorin e dyshuar, Shkëlqim Alliun
Motivi, sherret e shpeshta mes fëmijëve të viktimës dhe autorit
Konflikti i lindur për shkak të sherrit mes fëmijëve ka çuar në vrasjen e 38-vjeçarit Shpëtim Xhelollari mbrëmjen e së martës. Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga autorin e krimit, 42-vjeçarin Shkëlqim Alliun, i cili ka treguar edhe arsyet pse qëlloi me armë ndaj viktimës. Sipas burimeve nga policia, shkak kanë qenë përplasjet e vazhdueshme midis të dyve, për shkak të konflikteve të lindura nga fëmijët e tyre të mitur. Ata ziheshin herë pas herë dhe kjo ka çuar edhe në përplasjet e baballarëve të tyre. Debatet e tyre kishin qenë të ashpra dhe ato shpesh kishin çuar në konfrontime fizike. Sipas burimeve nga policia, motivi i përcaktuar për këtë krim është klasifikuar për motive të dobëta, pasi viktima dhe autori janë konfliktuar rreth 6 muaj më parë, për grindjen e herëpashershme të fëmijëve të tyre të mitur. Mbrëmjen e së martës, ndërsa viktima ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, është qëlluar katër herë me pistoletë nga Alliu, për të humbur jetën teksa po e transportonin për në Spitalin Ushtarak. Sipas burimeve policore, 40-vjeçari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para drejtësisë, ku akuzohet për “vrasje me paramendim” dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”. Sipas dëshmitarëve, viktima ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, në një pallat në rrugën “Babë Rexha”, në zonën e ish-parkut të autobusëve. Sapo ka qenë para një pike bastesh, një person i është afruar dhe e ka qëlluar me armë. Dëshmitarët dëgjuan katër krisma pistolete. Viktima Shpëtim Gjenollari me origjinë nga Korça është rrëzuar në tokë i mbuluar nga gjaku, para lokalit të basteve sportive. 38-vjeçari kishte marrë plagë të rënda në trup, të cilat i shkaktuan atij vdekjen. Plumbat i kishin prekur organet jetësore dhe ai nuk mundi të mbijetonte, si pasojë e humbjes së gjakut. Ndërkohë që autori i krimit është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes, duke arritur që t’i shmanget arrestimit. Vrasja ndodhi rreth orës 19:15 të mbrëmjes së djeshme. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, ngriti një grup pune për të zbardhur dhe hetuar shkaqet e kësaj vrasjeje, ndërkohë që rrethoi zonën, në përpjekje për të vënë në pranga vrasësin e Gjenollarit. Gjithashtu u krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që u shoqëruan disa persona në komisariat, të cilët kishin qenë dëshmitarë të vrasjes. Policia gjeti katër gëzhoja pistolete në tokë, të dala nga arma me të cilën u krye edhe vrasja e Gjenollarit. Ndërkohë që ata kryen arrestimin e autorit të krimit gjatë mesnatës. Shkëlqim Alliu ishte fshehur në një banesë në kryeqytet.