Elezi: Rruga, me impakt të rëndësishëm ekonomik
Qeveria çel fondet - nisin punimet në rrugën Kukës-Has
Pas një ndërprerje prej më shumë se 1 viti, pritet që këto ditë të nisë puna për ndërtimin e rrugës Kukës-Krumë, një aks shumë i rëndësishëm rrugor për banorët e Hasit, duke qenë se ai i lidh ata me Kosovën dhe Kukësin, e më pas me “Rrugën e Kombit”. Rikonstruksioni i kësaj rruge do nisë me ritme të shpejta, pasi edhe qeveria ka çelur fondin për kompaninë e cila ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, me një gjatësi prej 33 kilometra. Punimet u ndërprenë për mungesë të fondeve, ndërkohë që kreu i qarkut të Kukësit, Ibsen Elezi, shprehet se tashmë janë vënë në dispozicion rreth 2 milionë euro dhe pritet rifillimi i punimeve. “Me vendim të Këshillit të Ministrave janë çelë fondet për përfundimin e kësaj rruge. Nga kjo rrugë përfitojnë mijëra banorë të zonës së Hasit, Kukësit dhe komunikimin e tyre me Tropojën, Gjakovën dhe pjesën tjetër të Kosovës. Ka vlera jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për turizimin si dhe për ekonominë e asaj zone. Fondi është afërsisht 2 milionë euro. Nga komunikimi që kemi patur, firma filluar punimet për shtrimin e rrugës Kukës-Has”- u shpreh Elezi.
Ndërkohë që loti i parë ka përfunduar, punimet për ndërtimin e lotit të dytë ishin ndërprerë dhe në rrugë nuk shihej asnjë mjet pune. Rruga tashmë është në një gjendje të rënduar, ku gropat e mëdha dhe rreziku i rënies në brigjet e liqenit, janë ato që shoqërojnë drejtuesit e automjeteve por edhe pasagjerët gjatë gjithë udhëtimit nga Kukësi për në Krumë apo edhe anasjelltas, një udhëtim ky që zgjat më shumë se 2 orë.