Eliminimi i braktisjes së shkollësh, prioritet i strukturave arsimore në Kukës

Eliminimi i fenomenit të braktisjes së arsimit 9 vjeçar ka qenë një nga prioritetet kryesore të drejtorisë rajonale të arsimit në Kukës gjatë këtij viti shkollor. "Minimizimi i fenomenit është arritur përmes bashkëpunimit me komunitetin, strukturat e pushtetit vendor si dhe rritjes së ndihmës për familjet në nevojë", thotë drejtori i drejtorisë rajonale të arsimit, Ibsen Elezi. Sipas tij, aktualisht në 108 shkollat e arsimit 9 vjeçar të qarkut të Kukësit, prej të cilave 57 në rrethin e Kukësit, 20 në rrethin e Hasit dhe 31 në rrethin e Tropojës, rezulton se kanë braktisur shkollën vetëm 96 nxënës të moshës deri në 16 vjeç". Ndërkohë, për të minimizuar pasojat negative të braktisjes së shkollës nga fëmijët në arsimin parauniversitar të këtij qarku ka nisur funksionimi i arsimit me korrespondencë, i cili është i shtrirë në të 3 rrethet e prefekturës. "Sistemi i shkollës me korrespondencë është i shtrirë edhe në arsimin 9 vjeçar, edhe në arsimin e mesëm, ku interesi, veçanërisht nga të rinjtë e zonave të thella malore ku nuk ka arsim të mesëm, është mjaft i madh",- thotë Elezi. Braktisja e shkollës vetëm pak vite më parë ishte një nga fenemonet më negative të sistemit arsimor parauniversitar me një tregues deri në 8 për qind të numrit të nxënësve që kishin braktisur shkollën. Ky tregues tashmë është vetëm rreth një për qind. Braktisja e shkollës nga fëmijët deri 16 vjeç ndodh kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike të banorëve të zonave rurale, gjë që i detyron prindërit t'i angazhojnë fëmijët në punë të ndryshme. Në qarkun e Kukësit funksionojnë edhe 17 shkolla të arsimit të mesëm.
...