E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi, zgjedhjet në Shqipëri njësoj si në Territoret Palestineze

Nga Tema

Fushata zgjedhore është në prag, por ajo ende nuk po ndjehet, edhe pse palët po bëjnë disa takime elektorale. Mosparaqitja e një liste kandidatësh po pengon si të majtët, ashtu dhe të djathtët që të jenë agresivë, kur kanë mbetur dhe më pak se 50 ditë deri në zgjedhje.

Shqiptarët do hyjnë sërish në një fushatë aspak transparente, ku idetë dhe programet do të debatohen në shumë pak kohë, ndërsa financimet e partive do të jenë sërish shumë të dyshimta.

Ajo që bie në sy është që një grup kandidatësh me pará, të cilët duket se e kanë siguruar vendin në lista përmes negociatave me kryetarët e partive, kanë nisur takimet dhe ofertat e tyre direkte.

Por, ndërsa kjo fushatë e vakët nuk po sjell shumë risi për shqiptarët, një studim i bërë nga organizata E-Parliament për herë të parë bën një indeks të proceseve zgjedhore në gjithë botën.

Të dhënat janë publikuar të premten. Indeksi përmban 0-12 pikë, ku maksimalja shënon një proces zgjedhor pa probleme.

Kina merr vetëm një pikë në këtë renditje, ndërsa Rusia merr pesë të tilla. Vendet perëndimore të gjitha kanë marrë vlerësim maksimal, por duhet thënë që edhe shumë vende të Afrikës apo të rajoneve problematike kanë marrë një vlerësim shumë të mirë për sa i përket proceseve zgjedhore.

Sipas studiuesve që kanë përgatitur këtë renditje, është interesant fakti se vendet e Evropës Lindore kanë probleme me procesin e votimit. Shqipëria është ndër vendet me probleme. Ajo merr vetëm nëntë pikë në renditje, duke qenë njësoj si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Maqedonia është një pikë më keq se vendi ynë, duke marrë nëntë pikë në renditje. Por ajo që duhet theksuar është se vendi ynë merr më pak pikë në vlerësimin për ndershmërinë e regjistrimit të votuesve, procedurave të votimit dhe numërimin e votave. Në këtë pikë, vendet e tjera të rajonit nuk kanë probleme. Duke qenë se kanë probleme kryesisht etnike, këto vende dalin dobët në vlerësimin për lirinë e të shprehurit të kandidatëve dhe në regjistrimin e tyre.

Shqipëria shënon edhe një tjetër rekord negativ, ndërsa studiuesit nga universiteti i Berkeleyt në Kaliforni e rendisin atë në grupin e vendeve ku njerëzve u ndalohet masivisht votimi, ashtu siç ndodh në zona ku ka konflikte të armatosura.

“Në Shqipëri, një numër shumë i madh votuesish, me të drejtë vote ishin nën presion gjatë periudhës së votimit”, - thuhet në studim.

Shqipëria merr një renditje pozitive për sa i përket lirisë së shprehjes gjatë fushatës elektorale, çka duket shumë normale. Në këtë drejtim vendi ynë merr pikët si çdo vend evropian. Kjo për shkak se pikërisht në fushatë thuhet gjithçka.

Me 9 pikë në renditjen për proceset zgjedhore, njësoj si Shqipëria, janë edhe Venezuela, Zambia dhe territoret palestineze.

Shqipëria (2005)

Liria e pjesëmarrjes së kandidatëve: 3

Ndershmëria e regjistrimit të votuesve, procedurat e votimit dhe numërimi i votave: 2

Liria e shprehjes në fushatë elektorale: 4

Rezultati total: 9

Kosova (2007)

Liria e pjesëmarrjes së kandidatëve: 3

Ndershmëria e regjistrimit të votuesve, procedurat e votimit dhe numërimi i votave: 3

Liria e shprehjes në fushatë elektorale: 3

Rezultati total: 9

Maqedonia (2008)

Liria e pjesëmarrjes së kandidatëve: 3

Ndershmëria e regjistrimit të votuesve, procedurat e votimit dhe numërimi i votave: 2

Liria e shprehjes në fushatë elektorale: 3

Rezultati total: 8

Mali i Zi (2006)

Liria e pjesëmarrjes së kandidatëve: 3

Ndershmëria e regjistrimit të votuesve, procedurat e votimit dhe numërimi i votave: 3

Liria e shprehjes në fushatë elektorale: 3

Rezultati total: 9

Bosnja dhe Hercegovina (2006)

Liria e pjesëmarrjes së kandidatëve: 3

Ndershmëria e regjistrimit të votuesve, procedurat e votimit dhe numërimi i votave: 3

Liria e shprehjes në fushatë elektorale: 3

Rezultati total: 9

Vendet me 9 pikë në renditje

Shqipëria

Armenia

Bosnja

Burundi

El Salvador

Guinea-Bisau

Hondurasi

Indonezia

Kenia

Kosova

Kuvajt

Libani

Mali

Mali i Zi

Nigeri

Territoret Palestineze

Guinea e Re Papua

Paraguai

Rumania

Sierra Leone

Timor-Leste

Tanzania

Tajlanda

Venezuela

Zambia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›