E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhen në Durrës ekspertët e neurologjisë në konferencën e 10 “Neuromesdheu10”

Konferenca ndërkombëtare "Neuromesdheu 10", mblodhi sot në Hotel "Adriatik" në Durrës ekspertë dhe mjekë neurologë nga 10 vende të rajonit mesdhetar. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, duke përshendetur pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojës mes specialistëve të rajonit tonë, që dallohet shpesh edhe nga patologji të përbashkëta. “Nuk mund të flitet për integrim evropian, pa bashkëpunimin në fushën e arsimit shkencor dhe të shëndetësisë, tha znj. Godo, duke shtuar se hartimi i strategjive të përbashkëta rajonale do të ndihmojë edhe menaxhimin e integruar të patologjive të ndryshme". Prof. Jera Kruja, shefe e shërbimit universitar të neurologjisë, theksoi në fjalën e saj se në këtë konferencë shkencore, e para e këtij lloji në vendin tonë, do të kumtojnë 15 lektorë nga 10 vende të ndryshme të Mesdheut. Presidenti i projektit "Neuromesdheu", prof. George Serratrice, falenderoi organizatorët shqiptarë dhe kujtoi se kjo rrugë shkencore ka nisur 10 vjet më parë në Marsejë dhe synon bashkëpunimin në fushën e studimeve kërkimore-shkencore si dhe në njohjen e këmbimin e vlerave kulturore e njerëzore. Më pas, ekspertë neurologë nga vendi ynë, Franca, Italia, Izraeli, Siria, Egjipti, Turqia, Koacia, Jordania dhe Tunizia, referuan të rejat e fundit nga fusha e neurologjisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›