E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliminohen të vegjlit, PD-ja formon e vetme qeverinë

24/06/2009  Sondazhi i “Gani Bobit”: E djathta 72 deputetë, e majta gjithsej 68 deputetë

Partia Demokratike rezulton fituese në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Sondazhi i organizuar në rang kombëtar nga qendra humanistike “Gani Bobi”, porositur nga televizioni kombëtar “Klan”, tregon se forca politike kryesore politike e spektrit të djathtë të politikës shqiptare do të shpallet fituese në këto zgjedhje, duke ruajtur një diferencë prej 10 deputetësh me Partinë Socialiste. Sipas këtij sondazhi, organizuar në të gjitha qarqet e Shqipërisë, Partia Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit parashikohet të arrijë të fitojë mandatet për 72 deputetë në legjislaturën e ardhshme. Ndërsa Partia Socialiste do të mund të fitojë 62 deputetë, Lëvizja Socialiste për Integrim 5 deputetë dhe grupimi politik i drejtuar nga Erion Veliaj, “G-99”, merr vetëm një mandat deputeti. Sipas kësaj llogaritjeje, PD-ja do të mund të krijojë qeverinë e ardhshme vetëm me deputetët e saj. Duke marrë për bazë rezultatet e sondazhit, edhe në qoftë se partitë e majta që do të arrijnë të fitojnë mandate deputetësh, pra PS, LSI dhe “G-99”, do të krijojnë një koalicion, përsëri PD-ja nuk mund të thyhet. Në një rast të tillë diferenca mes demokratëve dhe ndonjë aleance paszgjedhore mes këtyre tri partive do të ishte shumë e ngushtë. PD-ja, siç doli nga rezultatet e sondazhit, do të marrë 72 deputetë, ndërsa koalicioni paszgjedhor i partive të majta do të kishte vetëm 68 deputetë. Kështu, Partia Demokratike do të arrinte të krijonte qeverinë dhe të drejtonte vendin në një mandat të dytë qeverisës. Sondazhi e organizuar nga “Gani Bobi” tregon se partitë e tjera të ashtuquajtura “të vogla”, të djathta e të majta, si Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës, apo Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit dhe ajo Demokracia Sociale e Paskal Milos, nuk do të mund të përfaqësohen në parlamentin e ardhshëm. Sipas sondazhit, 41.1% të shqiptarëve janë të disponueshëm të votojnë për PD-në, 33.2% për PS-në, 3.1% për LSI-në, 2.3 për “G-99”, ndërsa për partitë e tjera shifra shkon nga 0.5% deri në 0.1%. Sondazhi tregon se 4.1 për qind nuk janë të disponueshëm të votojnë për ndonjë forcë politike dhe 9.7% shprehen të pavendosur për zgjidhjen që do të bëjnë ditën e zgjedhjeve. Sondazhi tregon gjithashtu se 57.5% e të anketuarve thonë se fushatat e partive nuk ndikojnë në zgjedhjet e tyre për votën, 29.4% ndikohen pak, 9.4% ndikohen shumë dhe 3.7% nuk dinë të përgjigjen.

Sondazhi për Korçën

Qendra humanistike “Gani Bobi” në sondazhin e kryer në funksion të zgjedhjeve parlamentare për Qarkun e Korçës tregon se fituese në këtë qark rezulton Partia Socialiste. Në këtë sondazh të zhvilluar për një ndër qarqet më të rëndësishme të vendit, organizatorët kanë menduar të tregojnë orientimin e votuesve në bazë gjinie. Kështu, për PD-në do të votonin 43.7% të meshkujve dhe 40.7% të femrave, ndërsa për PS-në do të votonin 56.3% të meshkujve dhe 59.3% të femrave. Por PD-ja, në bazë të rezultateve të sondazhit, gjen një mbështetje disi më të madhe se rivalja e saj, duke parë mbështetjet në bazë moshe. Kështu, demokratët mbështeten më shumë nga qytetarë të moshave nga 18 deri në 50 vjeç. Ndërkohë që socialistët gjejnë mbështetje më të madhe nga grupmoshat 50 vjeç e deri tek ata që kanë kaluar të 70-at.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›