E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliot Engel: Zgjedhjet e qershorit, të rëndësishme, vazhdoni me reformat

Kongresmeni amerikan Eliot Engel i bën thirrje ligjvënësve shqiptarë të inkurajojnë votuesit të aplikojnë për karta identiteti dhe të sigurojnë administratën e duhur për realizimin e këtij procesi. Në fjalën e mbajtur para deputetëve shqiptarë, në seancën e fundit të kësaj legjislature, kongresmeni amerikan nënvizoi se zgjedhjet e lira e demokratike janë mundësia e parë që Shqipëria ta  tregojë veten si vend anëtar i NATO. Kongresmeni amerikan Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën e cilësoi procesin zgjedhor si shumë të rëndësishëm dhe siç sugjeroi ai votuesit duhen inkurajuar që të shkojnë në votime. Inkurajoni votuesit tuaj të aplikojnë për kartat e identitetit dhe të siguroni administratën e duhur në mënyrë që çdokush që dëshiron karta identiteti ta bëjë atë përpara zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme dhe kjo sigurisht që e mban demokracinë gjallë. Zgjedhjet janë mundësia e parë që Shqipëria ta tregojë veten si anëtare e re e NATO-s. Këto zgjedhje, janë një përgjegjësi dhe Shqipëria duhet të tregojë se ky proces është hapi i radhës drejt Europës dhe SHBA-së, vlerësoi Engel. Gjithashtu, kongresmeni amerikan vuri theksin në vazhdimin e reformave, kryesisht ato në kuadër të luftës kundër korrupsionit, vendosjes së shtetit të së drejtës, ndërsa nënvizoi rëndësinë e respektimit të pavarësisë dhe balancës mes pushteteve. Ju duhet të vazhdoni përpjekjet tuaja të guximshme për të zhdukur krejtësisht ndikimin e korrupsionit. Për më tepër kjo legjislaturë është vendimtare për zhvillimin e vendit tuaj. Parimi i kontrollit dhe balancës nëpërmjet sektorëve të ndryshëm të qeverisjes është vendimtar në një shoqëri të lirë dhe të hapur , theksoi ai. Pasi vuri në dukje ndryshimet që Shqipëria ka pësuar gjatë viteve të fundit, kongresmeni amerikan foli për mbresat e tij nga vizita në autostradën Durrës-Kukës, një rrugë që, siç u shpreh ai, do ta sjellë më pranë rajonin duke e bërë Shqipërinë një lider ekonomik në Ballkan. Në fund të fjalës së tij, Engel foli edhe për Kosovën, ku veçoi dyfishimin e përpjekjeve për lobing tek vendet që nuk e kanë njohur ende shtetin e ri për ta njohur atë në mënyrë, që Kosova të zërë vendin që i takon krah vendeve të tjera sovrane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›