Engel- Topi: Zgjedhjet e lira, tregues i qartë stabiliteti politik në vend
Presidenti Topi ka vlerësuar realizimin e zgjedhjeve të drejta e të pakontestueshme parlamentare për Shqipërinë, si tregues të qartë të stabilitetit politik në vend. Kreu i Shtetit, gjatë takimit që ka zhvilluar me kongresmenin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Nju Jorkut, Eliot Engel, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, ka theksuar rëndësinë e ecurisë pozitive të situatës parazgjedhore dhe përfundimin me sukses të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, presidenti Topi shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja, veçanërisht pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ne u jemi mirënjohës SHBA-së për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, proces i cili u konkretizua në Samitin e Strasburg-Kehl-it, u shpreh Topi. Nga ana e tij, kongresmeni amerikan, Engel vuri në dukje rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan. Gjithashtu, kongresmeni amerikan vlerësoi edhe mbështetjen maksimale të Shqipërisë për politikën amerikane në rajon, si aleate e partnere e besueshme në rajon e më gjerë.