Berisha premton në Vorë internet në çdo shtëpi
Në kuadër të turit Shqipëria po ndryshon, kryeministri Berisha, në Vorë ka inauguruar një kopsht fëmijësh me vlerën 45 milionë lekë, si dhe inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare Vorë, me vlerë 45 milionë lekë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, një projekt ky që ka transformuar shkollat dhe mësimdhënien në to. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë ka premtuar edhe shtrirjen e internetit në çdo shtëpi. Në këtë shkollë ka dy kabinete informatike. Këtë javë edhe në 500 shkolla të tjera është instaluar interneti dhe gjatë 2-3 javëve nxënësit e të 2000 shkollave të Shqipërisë do të lundrojnë në internet. Ne kështu finalizojmë një projekt të madh, një projekt që transformon shkollën tonë, mësimdhënien dhe i shërben në mënyrë të jashtëzakonshme si informimit të nxënësve, theksoi Berisha. duke e cilësuar këtë arritje të hap të madh, kryeministri përmendi inaugurimin e fillimit të punimeve në këtë shkollë, para një viti, ndërsa ditët e sotme kjo është shndërruar në një nga shkollat më moderne të vendit. Kryeministri Berisha përgëzoi kryetarin e Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismajli për punën e madhe që ka bërë, për transformimin e këtij qyteti dhe për modernizimin e tij.