E Diel, 1 Nëntor 2026

Elis Bakaj: “Shumë gola, por vetëm një zemër”

"Kam shkuar shumë i vogël te te ekipet e moshave të Partizanit, 10 vjec, dhe si trupvogël që isha, qeshnin kur bëja gola në ato ndeshje me fushë të vogël. Trajneri im i parë ka qenë Gazmend Kraja, më pas Perlat Musta, për pak kohë, Neptun Bajko dhe me radhë, Sulejman Mema, Sulejman Starova dhe tani Hasan Lika", keshtu thote Elis Bakaj, talenti i Partizanit dhe U-21, ne refimin e tij ne 360 grade per jeten jashte futbollit
Si është lidhur Elisi me futbollin?
- Babai im, Flamuri, është prej 30 vjetësh një tifoz i cmendur, dhe e vetmja që dëshironte ishte të bëhesha futbollist. Në një kuptim të thjeshtë, nuk më lejoi alternativë tjetër përvec topit dhe fushës.
Në Tiranë janë tri ekipe të mëdha, pse te Partizani dhe jo te Tirana ose te Dinamo?
- Ai është një nga ata që është ngjirur për Partizanin. Thuajse ka parë cdo ndeshje të luajtur në Tiranë. Madje, për të qeshur e them, se kur kam qenë fëmijë i vogël, jo pak herë kur më pyesnin për emrin e babit, thosha Partizani.
Kur fillove të mendosh se do të bëhesh futbollist?
Kam shkuar shumë i vogël te te ekipet e moshave të Partizanit, 10 vjec, dhe si trupvogël që isha, qeshnin kur bëja gola në ato ndeshje me fushë të vogël. Trajneri im i parë ka qenë Gazmend Kraja, më pas Perlat Musta, për pak kohë, Neptun Bajko dhe me radhë, Sulejman Mema, Sulejman Starova dhe tani Hasan Lika.
Kush të ka futur për herë në një ndeshje të ekipit të parë të Partizanit?
- Perlat Musta. Dhe më ka futur në një ndeshje ndërkombëtare për Kupën Intertoto, kundër një ekipi izraelit, Makabi Netanjahu, kur doja edhe dhjetë ditë të mbushja 16 vjec. Tani numëroj 20 ndeshje ndërkombëtare përfshirë edhe ato me kombëtaret e moshave. Më vjen mirë që mbaj një rekord për lojtarin më të ri në moshë që aktivizohet në një ndeshje ndërkombëtare.
Ke qenë pjesëtar thuajse i të gjitha ekipeve kombëtare.
- Nuk kam pse ta fsheh që kam rënë në sy të trajnerëve shumë shpejt. Fillimisht u bëra lojtar i U-15 dhe më pas me radhë, U-17, U-19 dhe tani U-23, apo Shpresat sic quhen. Është normale që të ndihem i kënaqur. Të jesh në të gjitha kombëtaret e moshave do të thotë se nuk kam qenë lojtar pa vlera. Gjithsesi, gjithmonë futbolli të jep kurajën për të tentuar për më shumë.
Si ka arritur Bakaj të përballojë të gjitha këto sfida, ka pasur ndonjë trajtim të vecantë?
- Them se po. Më kanë krijuar kushte të shkëlqyera. Kam dhe mjek personal. Më trajton Luan Guga qysh kur kam filluar të merrem me futboll, në moshën 10 vjec. Më ka bërë një program të vecantë stërvitor fitnesi, forcë dhe aerobi. Një futbollist i kompletuar duhet t'i ketë të gjitha: forcë, teknikë, cilësi.
Ushqimi?
- Babi është i famshëm te shokët e tij, për lëngun e portokallit Është bërë dietolog.. Ka blerë një shtrydhëse dhe ë përgatit gjithmonë pas stërvitjes jo më pak se 1 litër e gjysmë lëng portokalli të përzierë me karotë, mandarinë, mollë e pjeshkë. E shlyen me një gol në muaj, thotë.
Babi mburret me ty apo jo?
Nëse prindërit më plotësojnë gjithcka për t'u stërvitur apo ushqyer, im atë, gjithmonë ri pak vetullngrysur kur kthehem nga ndeshjet, edhe sikur të kem bërë gol më qorton. Por, le të them se më pëlqen roli i tij me qortime. Pasi në disa raste e ndjen veten ngushtë në stadium kur gaboj. Kjo është normale. Dhe kur luaj mirë, pasi mbush thesin e tij me gabimet e mia, pastaj ndryshon taktikë dhe më përgëzon.
Po motra, ajo besoj se gëzohet?
- Ajo është më e vogël dhe natyrshëm gëzohet. Madje ajo i shikon në televizion ndeshjet me mamanë e gjyshen time, që është 80-vjece. Për kuriozitet po e them këtë, gjyshja e kishte dëgjuar në Radio Tirana komentin e ndeshjes Flamurtari-Partizani dhe kur u ktheva më pyeti përse më kishte ndërruar trajneri.
Po merr vesh gjyshja jote nga futbolli?
- Pak, por kur shënoj gol, më thotë të dëgjova në radio dhe më jep ndonjë lekë, edhe pse më pas una ia kthej duke ia futur sërish në kuletën e saj.
Si është dita e një futbollisti të ri?
- Pjesa e parë e ditës si gjithë të tjerët: shkollë, mësime, herë nota shumë të mira, herë më pak; herë vlerësime dhe herë qortime. Pastaj, pasditja pak më ndryshe: stërvitje ditët e javës, dhe grumbullime me ekipin dhe ndeshje. Mbrëmja, pak më e vecantë, kur nuk kam ndonjë shok, shkoj me ndonjë shoqe. Gjithsesi babi nuk më lejon të vonohem shumë, dhe zakonisht ora tetë e mbrëmjes më gjen në shtëpi. Pastaj shoh shumë futboll dhe duhet të jem në shtëpi shpejt.
A ke top futbolli në shtëpi?
- Po kam. Dua të them një kuriozitet. Kur dua të mbaj topin me kokë dëgjoj muzikën e Shpat Kasapit, ndërsa kur e mbaj me dy këmbët dëgjoj muzikë popullore tiranase. Por cdo gjë e bëj me shumë kujdes se pastaj, bezdisen komshinjtë poshtë. Kam shkuar në dy finalet e Top Fest te Top Chanell. Por shkoj dhe në koncerte të këngëtareve me emër, s'ia prish dot të dashurën.
Ka të dashur Elisi?
- Sigurisht, me duhet ta pranoj, edhe pse nuk më pëlqen ta bëj publik emrin e saj. Fillimisht më vlerësonte si një mendjemadh, kjo dhe për shkak të emrit si futbollist. Del në gazeta, të ftojnë në televizione, por kur më njohu më shumë, më tha se isha shumë i thjeshtë. Kam dy vjet që e njoh dhe kuptohem shumë mirë. Në stadium nuk vjen, por në TV më ka parë gjithmonë. Telefonatat e saj janë të parat pas ndeshjes, dhe kur bëj gol, ndihet e lumtur.
E ndihmon apo e dëmton një futbollist të ri patja e një të dashure?
- Them se po. Të githë futbollistët e famshëm kanë të dashura apo të fejuara, dhe jo pak prej tyre kanë dhe fëmijë jashtë martese. Për shembull, Mikael Balak ka tre fëmijë nga bashkëjetesa me të dashurën e tij. Në Itali apo Angli faqet e gosipeve kanë në qendër futbollistët me të dashurat e tyre. Bekam është botërisht i njohur, Toti në Itali gjithashtu, apo Runi në Angli. Unë them patja e një të dashure të ndihmon në futboll. Një femër mburret me bukurinë dhe mirësinë e saj, një futbollist me golat. Dhe një e dashur e bën më ambicioz në fushën e lojës.
Kur shkon jashtë për të luajtur cfarë dhuratash blen?
- Shumë, për motrën, për babin por, nuk e harroj kurrë të dashurën. Nuk kam qejf të më thotë se ke filluar të më harrosh, lërë pastaj për ndonjë dyshim.
Cili është hobi i Bakaj?
- Më pëlqen shumë të luaj në kompjuter, ku ka disa lojëra virtuale për futbollin. Zakonisht zgjedh rolin e trajnerit dhe ndërtoj një skuadër me emra të mëdhenj lojtarësh. Vazhdoj të luajë me ekipet e Botërorit të Gjermanisë, zgjedh Italinë dhe më duket vetja si Lipi virtual.
Kë futbollist ka idhull Bakaj?
- Italianin Antonio Kasano, i cili tani luan te Reali i Madridit. Por e pëlqej si futbollist, dhe jo për kokëfortësinë e tij dhe karakterin e vështirë që ka. Shikoj shumë ndeshje në videokaseta dhe pëlqej të imitoj Kasanon si vrapon në fushë, si godet topin.
Kujt ke dëshirë ti shënosh gol?
- Golin e fundit në ndeshjet ndërkombëtare i kam shënuar Turqisë në Stamboll në miqësoren e Shpresave, më 17 janar 2007, ndërsa dua t'i shënoj gol Italisë, kur të dy ekipet do të ndeshen në Itali më 2 qershor 2007. Gola kam bërë dhe kundër Bjellorusisë në Tiranë dhe Lituanisë atje. Nga ekipet shqiptare, golin më të bukur ia kam shënuar Elbasanit, por më pëlqen t'i bëj gola Tiranës, së cilës i kam shënuar një herë.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›