E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio nuk ndalet, Roma rigjen fitoren

Zarate udhëheq bardhekaltrit. Verdhekuqtë marrin "oksigjen". Fitojnë Udineze, Palermo dhe Napoli

Një Lacio e papërmbajtur ka mundur 3-1, me gola të Pandevit dhe Zarates, ekipin e Torinos në javën e pestë të kampionatit, duke ruajtur kështu vendin e saj në majat e klasifikimit. Një fitore perfekte e lojtarëve të Delio Rosit në "Olimpiko" të Torinos, që ka ardhur në përfundim të një ndeshjeje të drejtuar me pjekuri të madhe, kundër vendësve që kanë treguar agresivitetin e zakonshëm, por pa ide të qarta në repartin ofensiv. Ndërkohë që Rosi bazohet te një repart sulmues i shkathët, i formuar nga Foxhia dhe Pandev pas krahëve të Zarates. Dhe është pikërisht golashënuesi më i mirë i kampionatit me 5 gola, protagonist në çdo ndeshje që luajnë bardhekaltrit. Në të vërtetë, kryeqytetasit kanë kaluar në avantazh që në pjesën e parë me anë të Pandev në minutën e 30-të. Ndërsa në pjesën e dytë ka ardhur një dygolësh nga Zarate: nga pika e bardhë e 11 metrave në minutat 64' dhe në 83'. Ndërkohë që edhe goli i ngushëllimit për Torinon ka ardhur nga po pika e bardhë, ku ka shënuar Amoruzo në minutën e 91-të. Duhet përmendur këtu nxjerrja me kartonin e kuq të portierit Sereni në rastin e penalltisë së parë, së bashku me atë të Pratalit në minutën 88' dhe trajnerit De Biazi. Suksesi i lacialëve, i katërti në këto pesë javë të para, mban firmën e dyshes sulmuese më prodhuese të kampionatit (10 gola): dygolëshi i Mauro Zarates (golashënuesi më i mirë me 6 gola, dy nga pika e bardhë) dhe një gol për Goran Pandev, autori i 1-0.

NDESHJET E TJERA - Ndërkohë që këtë javë kanë gëzuar dhe ekipet e Udinezes (fitore 2-1 në shtëpi me Sienën) me gola të Kualjarelës dhe Pepes dhe Katania (1-0 me Kievon, gol i Paoluçit). Ndërkohë që nuk ka arritur të mbajë vendin e dytë në klasifikim Atalanta, e cila është mundur 2-0 në fushën e Romës. Verdhekuqtë rigjejnë fitoren në kampionat pas humbjes në mesjavë ndaj Xhenias. Për skuadrën e Spaletit ka shënuar në fillim, tashmë "golashënuesi" Panuçi dhe Vuçiniç, në një ndeshje ku nuk është ndier mungesa e kapitenit Toti në sulm. Ndërsa Palermo ka thyer Rexhinën 1-0 (me gol të Fabricio Mikolit), Roma është ngjitur në kuotën e shtatë pikëve së bashku me Fiorentinën, që ka mundur të shtunën (1-0 Xhenoan me gol të Xhilardinos), dhe Leçen, që brenda në shtëpi, ka mundur 2-0 Kaljarin, i cili pëson kështu humbjen e pestë në po kaq javë kampionat, duke pasur 0 pikë. Në pjesën e poshtme të renditjes Sampdoria me 4 pikë ndodhet para Bolonjës (3), Rexhina (1) dhe Kaljari në kuotën e zero pikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›