E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Elita 5" dhuron 7 mijë euro për tragjedinë e Gërdecit

Grupi i njohur muzikor, "Elita 5", ka dhuruar 6 mijë euro dhe 1500 dollarë për tragjedinë e Gërdecit. Ministria e Brendshme deklaroi se dy anëtarë të grupit të njohur muzikor, "Elita 5", Arif Ziberi dhe Besim Ibrahimi, zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Vorës, për të dëshmuar solidaritetin me banorët e dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi më 15 mars të këtij viti në fshatin Gërdec. Artistët u pritën nga kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili i informoi mbi dëmtimet që kanë ndodhur si pasojë e shpërthimit dhe mbi masat e marra nga qeveria në ndihmë të banorëve. Pjesëtarët e "Elita 5" shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin me familjet e dëmtuara për përballimin e fatkeqësisë. Ziberi informoi se grupi i tij ka zhvilluar një koncert të posaçëm, fitimet e të cilit do të shkojnë në ndihmë të banorëve të Gërdecit. Në emër të grupit "Elita 5", Ziberi dhe Ibrahimi i dorëzuan kryetarit të bashkisë një ndihmë financiare për Gërdecin, prej 6 mijë eurosh dhe 1500 dollarësh. Po kështu, Ziberi i dhuroi kryebashkiakut Ismaili një bluzë të "Elita 5", me mbishkrimin "Së bashku për Gërdecin". Ndërsa Ismaili falënderoi grupin "Elita 5" për ndihmën financiare të dhuruar, duke e vlerësuar këtë si një gjest humanizmi, i cili e vendos këtë grup artistësh në radhën e institucioneve, donatorëve dhe individëve të ndryshëm që kanë dhuruar ndihma financiare apo materiale për përballimin e pasojave nga shpërthimi i ndodhur në Gërdec.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›