E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, zbulohen 4 letrat sekrete

Shteti shqiptar kishte dijeni për transportimet e municioneve nga depot ushtarake në drejtim të Gërdecit. Prokuroria e Përgjithshme ka zbuluar informacionet (e klasifikuara) në Shtabin e Përgjithshëm drejtuar Kryeministrit dhe Presidentit. Dy ditë para shpërthimit të fuqishëm që i mori jetën të paktën 24 personave, ushtria i dërgonte një informacion Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bamir Topi për gjendjen e sigurisë në vend, si dhe për lëvizjet e municioneve në depot e armatimit në të gjithë Shqipërinë. Në shkresën top-sekret, tashmë të bllokuar, zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm përshkruanin të gjitha lëvizjet e municioneve nga depot e armatimit në drejtim të fabrikës së demontimit në fshatin Gërdec. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, Forcat e Armatosura kanë lajmëruar krerët e shtetit për lëvizjet e municioneve në drejtim të Gërdecit më datat 13 shkurt, 7 mars, 9 mars dhe 13 mars të këtij viti. Rezulton se dy ditë para ngjarjes, ushtarakët kishin të dokumentuar të gjithë sasinë e municioneve që ndodhej në Gërdec, madje shkresat në fjalë vërtetojnë alibinë e tyre. Dokumentet e klasifikuara janë bllokuar nga grupi hetimor i akuzës qendrore, ku po përcaktohen të gjitha hyrje-daljet e municioneve në "fabrikën e vdekjes". Nisur nga të dhënat e para, hetuesit e çështjes kanë mësuar se dokumentet që kanë bllokuar ndodhen edhe në zyrat e Kryeministrisë dhe Presidencës, ndërsa deklarojnë se nuk kanë ndonjë të dhënë nëse titullarët e këtyre institucioneve i kanë lexuar shkresat sekrete.

Ndërkohë, prokuroria po verifikohen të dhënat e ushtrisë me informacionet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo e fundit ka të dokumentuar se 41 për qind e të gjitha armëve që kanë dalë nga depot e ushtrisë, që prej 2005-ës deri në shkurt të vitit 2008, kanë pasur destinacion "fabrikën e vdekjes" në Gërdec. Armatimet kanë qenë kryesisht të lehta. Evidencat në fjalë janë bllokuar nga hetuesit e çështjes, ndërsa po verifikohen edhe dëshmitë e bëra nga ana e punëtorëve të fabrikës, gjatë kësaj periudhe. Ata deklarojnë se fishekët hiqeshin nga arkat e hekurit dhe kalonin në arka druri të një peshe më të lehtë. Këto fishekë nuk u demontuan kurrë, por sipas punëtorëve, ngarkoheshin në kontenierë që kishin për destinacion doganat, e më pas shkonin drejt blerësve. Nga dëshmitë e ushtarakëve në prokurori mësohet se vetëm në muajt janar-shkurt 2008, drejt Gërdecit kanë shkuar me kamionët e ushtrisë 8765 tonë municion, duke e kthyer kompaninë e të arrestuarit Delijorgji në monopol të projekteve për çmontimin e armëve në vendin tonë. Në drejtim të Gërdecit kanë shkuar një sasi tepër e madhe e municioneve që ndodhej në depot e ushtrisë, megjithëse nuk ka pasur asnjë lloj kapaciteti, mundësi teknologjike dhe magazinimi të këtyre municioneve. Për këtë shkak, sipas prokurorisë, mund të ketë ndodhur tragjedia e 15 marsit. Shpërthimi i fuqishëm duket se nuk do të saktësojë kurrë numrin e armatimeve që janë shitur jashtë kontratës nga kompania MEICO dhe "Albademil", pasi mijëra municione janë përhapur në të gjithë zonën dhe ende po mblidhen nga ekspertët e çarmatimit të ushtrisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›