Elita pasuri e kombit, zëri i tyre s’duhet të ndikohet nga kushtet materiale dhe politike

Arben Imami takon intelektualët e dënuar në kohën e komunizmit
Gjatë një takimi me qindra intelektualë të dënuar në kohën e komunizmit, organizuar në ambientet e teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit, ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kreu i grupit të kandidatëve të PD, Arben Imami deklaroi se elita e intelektualëve është pasuri e kombit. Ai solli në vëmendje se intelektualët u përndoqën nga diktatura komuniste se, pse ngrinin lart vlerat e lirisë, pse thonin të vërtetën. “Këta intelektualë, këta personalitete të Elbasanit, absolutisht po që ishin në luftë me diktaturën, sigurisht mbase nuk ishin as në organizata, mbase mund të kishte pasur edhe prirje politike ndonjëri, por ata thonë të vërtetën dhe intelektuali ka vetëm një detyre, përpiqet ta njohë të vërtetën dhe ta thotë të vërtetën, nuk është detyra e intelektualit në analizë të fundit ta propagandojë të vërtetën”- tha ai. Z.Imami theksoi se intelektualët janë pasuri e veçantë për çdo komb, ndërsa përcolli mesazhin se, zëri i çmuar i intelektualëve të mos ndikohet nga kushtet materiale dhe politike. “Roli i madh i intelektualit të një shoqërie është që të mendojë në mënyrë të pavarur nga kushtet materiale të jetës së tij, të mos ndikohet në mendimin e tij nga presioni i këtyre kushteve materiale dhe politike, sigurisht që në diktatura kushtet politike janë shumë më të egra. Roli i intelektualit të shquar arrin që nga dashuria e madhe për të vërtetën e cila është e lidhur me dashurinë për njeriun dhe për vendin, të dominojë mbi çdo interes tjetër qoftë personal, qoftë klanor, gjë që jo radhë shfaqet tek intelektualët e sotëm për fat të keq. Prandaj intelektualët e mëdhenj janë modele të mëdha për gjithë njerëzimin dhe për çdo komb që i prodhon është një pasuri që nuk duhet humbur”- tha Imami. Ai e vlerësoi qytetin e Elbasanit si qytetin e intelektualëve të shquar, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por për të gjithë vendin.
Belsh, Imami: Mandatin e ardhshëm kompletojmë projektet në infrastrukturë, trefishim të investimeve në bujqësi/Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i cili kryeson zgjedhjet në qarkun e Elbasanit dhe Kandidati për deputet, Ardjan Turku kanë zhvilluar një takim me banorë të qytetit të Belshit. Kandidati për deputet, Ardjan Turku nëpërmjet një studimi ka prezantuar projektin teknik për zonën e Dumresë. Studimi ka nisur nga ujësjellësi, si një zone e cila dikur ka pasur probleme për ujin e pijshëm ku cilësia e ujit nuk është e duhura, për shkak të amortizimit të rrjetit të ujësjellësit të vjetër. Ai theksoi se Dumreja prej kohësh po ndjen ndryshimin dhe se sektori bujqësor ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm falë politikave stimuluese të qeverisë, përmes subvencioneve dhe investimeve në infrastrukturë. “Vetëm gjatë këtyre katër viteve ne kemi realizuar 90 kilometra rrugë vetëm në zonën e Dumresë, ndërkohë që para vitit 2005 ku qeverisej nga PS ishin vetëm dy kilometra rrugë të shtruara”, përfundoi Turku. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Arben Imami në këtë takim theksoi se kjo zone, për nga investimet e qeverisë cilësohet si zonë e privilegjuar. “Nga rreth 5000 fermerë në të gjithë qarkun rreth 25% kanë përfituar subvencione vetëm në Dumre, dhe po t’i referohemi shifrave 1/3 e buxhetit ka kaluar për Dumrenë dhe kjo për disa arsye dhe një ndër ato është se banorët e duan punën e sepse kryetarët e komunave kanë punuar shumë, po të vazhdojmë kështu, kjo është rruga më e mirë”, u shpreh ai. Imami tha se ndryshimi i kësaj zone ishte i dukshëm duke e krahasuar me 5 vjet më parë sepse puna që është bërë është një punë e jashtëzakonshme, punë e frytit të banorëve të Belshit dhe subvencioneve të qeverisë duke e krahasuar Belshin me Toskanën. “Dumreja është një mrekulli”, theksoi ai. Ai vlerësoi se Partia Demokratike do të vazhdojë programin e saj me sistemin e vaditjes dhe kullimit ku për vaditjen do të hapet një program i ri, agresiv, ambicioz në të gjithë Shqipërinë për vaditjen dhe kullimin, sepse pa vaditje dhe pa kullim nuk ka bujqësi, por kjo nuk mund të bëhej pa përfunduar infrastrukturën rrugore dhe kjo tregon qartë që punët me programin e Partisë Demokratike punët janë nisur me rrallë, në mënyrë sistematike. Duke renditur edhe një herë pengesat e opozitës që nga viti 2009 e në vijim, sipas tij mosvotimi i tre ligjeve në kohën e duhur ka një kosto, pasi nëse do të kishim hyrë në BE me statusin kandidat do të kishim më shumë investime dhe në këtë mënyrë Rama ka prekur xhepat e gjithsecilit nga ne. Duke folur për Ramën ai e ironizoi atë duke u shprehur: “Ta lemë në autobusin e tij, sepse Shqipëria do të ecë përpara dhe autobusi i tij do të ecë në vend”.