E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elita që drejton botën

Siç ndodh përherë, fundi i vitit është edhe koha e klasifikimeve që gazetat, revistat apo televizionet më të mëdha në botë bëjnë rreth njerëzve të famshëm. Kësaj here radha i ka takuar "Newsweek"-ut, që ka bërë renditjen e 50 personazheve të cilët formojnë elitën globale të vitit 2009. Një klasifikim ky që do t‘i pëlqente shumë Dante Aligierit, ku shfaqet ferri, parajsa dhe purgatori i shpirtrave që kanë peshë në botën e sotme. "Shpirtra" të klasifikuar sipas manisë së madhe të amerikanëve për të kataloguar, cilësuar dhe dhënë votën për gjithçka. Në këtë "komedi njerëzore globale" të vitit 2008-2009, pas të pashmangshmit Barak Obama, që për momentin dominon horizontin e botës, pozicioni në klasifikim nuk tregon veset apo virtytet, veprimet fisnike apo aspak të tilla. Ai tregon vetëm aftësinë e këtyre individëve që kanë lënë shenjë në kohën në të cilën jetojmë, pa dallim race, seksi, besimi, kombësie apo popullariteti. Sigurisht që shumë njerëzve mund të mos u duket aspak e drejtë kjo renditje. Për shembull, ndonjë katoliku të devotshëm mund të mos i pëlqejë zbulimi i analistëve dhe lexuesve të revistës së përjavshme amerikane, të cilët mendojnë se sekretari i ri i Obamës, kreu i stafit të tij, Rahm Emanuel, një njeri cinik, manipulues dhe i efektshëm në korridoret parlamentare, qëndron dukshëm në klasifikim përpara shenjtërisë së tij, Papës Benedikti XVI, përkatësisht në vendin e 27-të kundrejt atij të 37-të të Ratzingerit, influenca globale e të cilit duket relativisht modeste e parë nga këndvështrimi i SHBA-së. Po ashtu, akoma më e hidhur kjo renditje do të jetë për informaticienët dhe njerëzit e pasionuar pas teknologjisë, kur të shohin se jashtë saj qëndron i famshmi Bill Gejts, zotëria i "dritareve", i sistemit operues "Windows", që furnizon rreth 90 për qind të kompjuterëve në të gjithë botën, i cili nuk shfaqet në klasifikim as për bukuri dhe jo si lider me peshë në industrinë teknologjike. Stiv Xhobs, gjeniu i marketingut, i cili arriti të shpëtojë "Apple"-n, mban vendin e 34-ët, edhe ai para Papës, për të treguar se në këtë botë materialiste, "iPod" të bën përshtypje më shumë se besimi. Por, është politika ajo që si gjithmonë vazhdon të dominojë olimpiadën e atyre që komandojnë botën. Sepse politika mund të jetë edhe në krizë, por në fazën e kësaj krize ekonomike dhe financiare globale, pikërisht tek ajo shpreson bota të gjejë një dritë që ndriçon në fund të tunelit.
Në vend të parë të klasifikimit sigurisht që nuk mund të mungonte Obama, i cili së bashku me Mishelën e kanë të padiskutueshëm vendin e parë këtë vit në të gjitha anketat dhe sondazhet. Obama u zgjodh edhe si "Personi i vitit pak ditë më parë", një çmim i cili i jepet çdo vit nga revista "Time" njeriut që dallohet për merita të veçanta në një fushë të caktuar. Mishel kryeson listën e grave të këtij viti, për shkak të qëndrimit të mbajtur në kohën e fushatës dhe mbështetjen që i dha bashkëshortit në këtë sipërmarrje të vështirë, ndërsa motoja e tij gjatë fushatës, "Yes we can", është shpallur si fjalia e këtij viti. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, fitorja e tij në zgjedhjet e nëntorit ka bërë që gjithë bota të shikojë tek ai shpëtimin për hallet e saj. Megjithatë, do të na duhet të presim deri më 20 janar. Pas tij, menjëherë renditet Presidenti kinez, Hu Jintao, meritat e të cilit u rritën ndjeshëm pas fytyrës që vendi i tij tregoi në Lojërat Olimpike të Pekinit këtë vit; apo francezi Nikolas Sarkozi, që u shfaq nga marsi nëpër kopertina për martesën me Karlën dhe më vonë për qëndrimin e tij korrekt ndaj krizës ekonomike. Si mbajtëse e presidencës së radhës së BE-së, Franca e tij ka hedhur vetëm hapa të sigurt. Në fakt, "Newsweek" u ka kushtuar një rëndësi të madhe atyre që udhëheqin institucionet më të mëdha financiare, duke i renditur në vendet e para. Vende nderi në renditje për Zhan-Klod Trishetin e Bankës Qendrore Evropiane dhe Masaki Shirakavanin e Bankës Qendrore Japoneze, të cilët prej muajsh tentojnë të bëjnë hapa që mund të ndikojnë pozitivisht në financat e sëmura ndërkombëtare. Shfaqet sërish gjermania Anxhela Merkel; "cari" rus Vladimir Putin; britaniku Gordon Braun, i cili arriti sërish të kapte majat e popullaritetit falë planit të tij të shpëtimit për bankat; Mbreti Abdullah (nafta kushton dhe gjithmonë ka rëndësi); madje edhe iraniani Khmanei (në klasifikim nuk është Ahmadinexhadi). Siç duket, dhjetë pozicionet e para në olimpiadën e superelitës botërore janë të zëna nga personazhe të politikës, ose të administratës publike. Në përzierjen e "të mirëve", "më pak të mirëve" dhe "të këqijve", nuk mund të mungonte Osama bin Laden, i pozicionuar pas Papa Benediktit dhe Rupert Murdok. Në pesëdhjetëshen e personazheve më me influencë në botë është dhe gjenerali Devid Petraeus, i vetmi amerikan i mbijetuar nga "luftërat mbrojtëse" bushiste në Irak dhe Afganistan; por edhe lideri shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama; si dhe miliarderi meksikan, Karlos Helu, një nga njerëzit më të pasur në botë. Gjithashtu është dhe zotëria i shtëpisë automobilistike që ende mbretëron në krizën e shoqërive të prodhimit të makinave, Katsuki Uatanabe i "Tojotës", dhe predikuesi nigerian, Adeboje, i vendosur për të shpëtuar shpirtrat në konkurrencë të ashpër me ajatollahët shiitë dhe priftërinjtë katolikë. Por, edhe në këtë globalizim të elitës dhe influencës në botë, vazhdon të jetë shumë, po shumë i vogël ama, numri i grave. Nga pesëdhjetë njerëzit më me influencë, prania e tyre numërohet me gishta. Thënë ndryshe, janë vetëm pesë ose një e dhjeta në perandorinë e më të fuqishmëve. Kancelarja Merkel; indiania Sonia Gandi; Nensi Pelosi, "caresha" e Dhomës së Përfaqësuesve Amerikanë, e cila nuk mbajti qëndrim të hekurt ndaj planit të Bushit për të shpëtuar ekonominë; Margaret Çan, drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Oprah Uinferj, gruaja me ngjyrë që prej kohësh dominon ekranet amerikane, përveçse një opinioniste dhe moderatore shumë e zonja. Këtë vit u pozicionua hapur dhe mbajti krahun e Obamas, në një kohë kur nuk ishte e leverdishme ta bënte diçka të tillë. Dhe si gjithmonë, nuk gaboi. E çuditshme që në renditje mungon avokatja nga Çikago, Valeri Xherret, një nga këshilltaret e Presidentit të ri amerikan. Por, pavarësisht se në zgjedhjet e bëra nga "Newsweek" gratë janë shumë, faktet tregojnë hapur se prania e tyre në sektorët vendimmarrës po rritet ndjeshëm në gjithë globin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›