E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri rastet e humbura evropiane

1.
Njëra prej kundërthënieve kosovare, në listën jo pak të gjatë të tillash, është se, ndërsa Kosova është njëra prej pikave themelore të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, posaçërisht karshi vendosjes së misionit të vet më ambicioz të deritanishëm, EULEX, Kosova nuk ka politikë të vetën ndaj BE-së.
Megjithatë, lajmi i mirë, posaçërisht krahasuar me gjendjen e para dhjetë viteve, kur brenda lëvizjes kosovare, posaçërisht asaj të armatosur, kishte edhe tone antiperëndimore, është se tash të gjitha strukturat politike e shoqërore kosovare flasin për integrimet euroatlantike. Lajmi i keq mbetet fakti se këto deklarime janë sipërfaqësore dhe nuk bartin në vetvete një proces serioz politikëbërjeje.
Mund të gjenden arsyetime për këtë gjendje, posaçërisht në kontekstin e një mungese më të madhe, pra të politikës së jashtme në tërësi, por këto arsyetime nuk e ndryshojnë gjendjen. E gjendja është se, përderisa e tërë fqinjësia e Kosovës ka zhvilluar politikat e veta karshi BE-së dhe çdonjëra me shpejtësi të vetën po i afrohet cakut integrues, Kosova është pothuajse tërësisht e izoluar nga ky proces, gjykuar sipas impulseve vetjake.

2.
Viti 2008 mund të quhet i humbur nga këndvështrimi i ndërtimit të politikave evropiane në Kosovë. Vendi i ka humbur tri raste thelbësore për të vendosur piketat e duhura.
Rasti i parë është ai i pranisë evropiane në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Vënë në formë të thjeshtësuar, misioni evropian në Kosovë ka për detyrë ndihmesën në vendosjen e sundimit të ligjit, e kosovarët do të duhej të saktësonin se për cilin ligj është fjala. Mes dy palëve do të duhej të kishte kontratë; pala kosovare as që e ka kërkuar një gjë të tillë.
Rasti i dytë është ai i trajtimit të politikave zhvillimore kosovare brenda kontekstit evropian. Në pesë vitet e fundit, qeveri pas qeverie kanë dështuar në përpjekjen për definimin e një plani zhvillimor afatmesëm evropian, çfarë kanë pasur shtetet si Bullgaria, Estonia, apo Irlanda (madje edhe Turqia ka një të tillë). Në mungesë të planit zhvillimor, qeveritë kosovare kanë paraqitur improvizime (shpesh të hartuara shpejt e shpejt nga agjenci ndërkombëtare ndihmëse). Dhe një improvizim i tillë iu paraqit edhe Konferencës së Donatorëve. Në mungesë të një plani zhvillimor, marrëdhënia me BE-në, brenda kontekstit ekonomik, mbetet ajo e lëmoshës dhe jo e ndihmës për transformim.
Rasti i tretë është ai i mungesës së kushtëzimit evropian në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Diplomacia serbe, gjatë tërë këtij viti ka bërë përpjekje që me veprimet e saj, prej dërgimit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (me bekimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së) e deri te 6 pikat e Ban Ki Munit, të skajojë çështjen e Kosovës si pengesë kushtëzuese në integrimet e veta evropiane. Njëkohësisht, me kombinimin e disa faktorëve (mosnjohja nga 5 shtete të BE-së, forcimin e strukturave paralele në Kosovë), prania evropiane në Kosovë është zhytur më thellë në misionin stabilizues, që mund të vazhdojë me vite të tëra pa ndonjë rezultat të madh në transformimin e vendit.

3.
Viti 2009 mund të jetë kritik në zhvillimin e politikave evropiane në Kosovë. Fillimisht, ngase i tërë regjioni mund të ecë një shkallë më lart (anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe kandidimi për në BE, shqyrtimi i statusit të kandidatit për Malin e Zi, mbase dhe Serbinë; liberalizimi i vizave për Maqedoninë). Së dyti, ngase mungesa e kapaciteteve në institucione do ta bëjë më të dukshme diskrepancën mes nevojave dhe mundësive.
Megjithatë, ja dy çështje për të cilat do punuar, e me të cilat mund të definohet një kah më aktiv.
E para është që të fillojë dialogu operacional për praninë evropiane në Kosovë. Sa më konkret të jetë ai, aq më mirë. E brenda kësaj konkretësie do zhvilluar një dialog, në të cilin duhet të jenë pushteti së bashku me opozitën dhe shoqërinë civile, në trajtimin e njërës prej çështjeve me të cilat tashmë është identifikuar Kosova, pra korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo është një çështje e cila mund të shfrytëzohet lehtë për demagogji, ku EULEX-i, i ngarkuar me sundim të ligjit, të vazhdojë të fajësojë kosovarët, por pa ndërmarrë gjë, e kosovarët nga ana tjetër, të fajësojnë EULEX-in, ngaqë ai është formalisht i ngarkuar me sundim ligji. E kundërta duhet të ndodhë; në vend të fajësimit të ndërsjellë, bashkëpunimi.
E dyta është plani afatmesëm evropian. Për këdo që është në pushtet a opozitë, sot apo nesër, ky plan është më se i nevojshëm, ngase e bën zhvillimin e Kosovës një proces të matshëm evropian dhe po aq me rëndësi, të kualifikueshëm për një përkrahje më të madhe evropiane. Ky plan është më se kritik për vitin 2009, ngase, nën presionin e fortë politik po zhvillohet një fushatë, e cila jashtë ndonjë plani zhvillimor, synon që në vitin 2009 të shesë resurset bazike ekonomike të vendit, në KEK e PTK. Dhe, këtë madje ta bëjë në kohën e një vale cunami të krizës ekonomike botërore.

4.
Por, çështja fondamentale në politikën e jashtme kosovare për vitin 2009 duhet të jetë rikthimi i Kosovës si pikë kushtëzuese për politikën e integrimit të Serbisë në BE. Përderisa do përkrahur që Serbia të shpejtojë hapin e vet drejt BE-së, me liberalizim të vizave dhe arritjen e statusit të kandidatit, kjo nuk guxon të ndodhë në dëm të Kosovës. E, pa një politikë kushtëzimi, dy janë dëmet që mund t‘i bëhen. Së pari, të mos krijohet marrëdhënia e përgjegjësisë së Serbisë për veprimet e veta në Kosovë (nëpërmjet të të ashtuquajturave struktura paralele). Së dyti, duke mos e kualifikuar ecjen e Serbisë drejt BE-së me çështjen e Kosovës (dhe një procesi kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës), do të rritet diskrepanca mes Serbisë e Kosovës karshi Brukselit, për aq sa Serbia mund të bëhet një pengesë për integrimin e Kosovës në BE.
Në fakt, sirenat e alarmit duhet të dëgjohen që tani.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›