E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e policit shqiptar, në Shkup arrestohen tre veta

Operacioni policor, i filluar para afro tri javësh, mbas vrasjes së policit shqiptar të forcave speciale "Alfa", Afrim Arifi, dhe plagosjes rendë të dy policëve të tjerë, kulmoi fundjavën e kaluar me një aksion të bujshëm në shkallë të gjerë, me pjesëmarrjen e rreth 200 pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë, gjatë të cilit u kapën tre persona, të tre shqiptarë, nga Shkupi, Haraçina dhe fshati Opae i Kumanovës. Gjatë aksionit policor u arrestuan gjithsej 17 veta, por, më pas, 12 prej tyre u liruan, ndërsa policia bëri bastisje në dhjetëra shtëpi në Shkup, Haraçinë dhe Kumanovë. Madje u bastis edhe shtëpia e gazetarit dhe e bashkëbotuesit të gazetës që del në Shkup në gjuhën shqipe, "Koha", Arben Ratkoçeri, që reagoi, duke deklaruar se kontrolli i shtëpisë së tij ishte bërë pa vendim përkatës. Por, MPB-ja i hodhi poshtë dje pretendimet e z. Ratkoçeri, duke deklaruar se kontrolli i shtëpisë së tij nuk kishte lidhje me gazetën "Koha" si medium.
Agim Islami (25 vjeç) nga Çairi dhe Rexhaili Çaili (33 vjeç) nga Opae dyshohet se më 26 nëntor të këtij viti, kishin hapur zjarr, pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore të Shkupit, kundër makinës së policisë Alfa, kurse i arrestuari i tretë, Shaqir Ramadani (19) nga Haraçina, kishte ndihmuar dy të parët. Kundër tyre rendojnë akuzat për vrasje, tentativë për vrasje, si dhe për veprime të organizuara kriminale. MPB-ja njoftoi se hetimi filloi të japë rezultate konkrete mbas zbulimit se makina e tipit "Golf 3", që kishin përdorur agresorët gjatë sulmit kundër tre policëve, disa ditë para sulmit, kishte qenë parkuar para një ndërtese në lagjen shqiptare "Çair" të Shkupit dhe se me të kishin ardhur tre veta. Sipas hetimit, doli se targa e saj ishte false, kurse vetë makina ishte sjellë nga Zvicra në Kosovë, ku atë e kishin blerë nga tre persona të panjohur nga Maqedonia që e kishin futur në vend dhe se, më pas, ishin përpjekur të fshinin numrat origjinalë identifikues të shasisë dhe të motorit. "Mbas gjetjes së makinës dhe përpunimit krim-teknikë të tij, u përcaktua se gëzhoja e gjetur në të përputhej me gëzhojat e gjetura në vendin e krimit, ndërsa analiza përkatëse forensike (hetimore) dhe gjurmët biologjike, sikurse u përcaktua, përputheshin me ato të të dy personave të arrestuar", vuri në dukje dje ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska.
Sidoqoftë, bashkëbotuesi i gazetës shqiptare "Koha", Arben Ratkoçeri, vuri në dukje se ata që e morën në pyetje i thanë se ai kishte lidhje me njerëz të dyshimtë dhe e pyetën nëse kishte farefis në Haraçinë dhe Kumanovë, duke e dyshuar për lidhje me sulmin e lartpërmendur. Në gazetën në fjalë konsiderojnë se hyrja me forcë e policisë në shtëpinë e z. Ratkoçeri është një sulm kundër gazetarisë së lirë dhe se për bastisjen në shtëpinë e tij do të informoheshin ambasadat dhe misionet e huaja në Shkup. Në të njëjtën kohë, reagoi edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Shkup, sipas së cilës, "ndodhi të tilla përbëjnë ushtrim presioni ndaj botuesve dhe synojnë të kufizojnë lirinë e botimit që qëndron në bazë të së drejtës për shprehje të lirë të mendimit". Megjithatë, ministrja Jankullovksa deklaroi dje se gazeta "Koha" nuk ka qenë objekt interesi të shërbimeve përkatëse dhe se kishte pasur vendim përkatës për kontrollin e shtëpisë së një qytetari që punonte në këtë gazetë.
Nuk ka asgjë konkrete për motivin e sulmit të 26 nëntorit kundër tre policëve, megjithëse, në fillim, u tha se ai u ndërmor në shenjë hakmarrjeje për "disa aksione të suksesshme të ndërmarrë nga policia speciale ‘Alfa‘ kundër grupeve kriminale".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›