E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrena e "Kolumbisë evropiane"

Shkrimtari italian, Roberto Saviano, i cili ka botuar librin "Gomorra" (tashmë i ekranizuar), që demaskon mafien italiane, prej kohësh jeton i mbrojtur nga policia, sepse jeta e tij është e kërcënuar nga bosët e mafies. Rudina Xhunga ka intervistuar Savianon për emisionin e saj në "Top Channel". Në atë intervistë janë disa pohime sensacionale dhe alarmante të Savianos, kushtuar Kosovës, që patjetër duhet të komentohen dhe të reagohet në to. Po e citoj në tërësi pasusin ku Saviano flet për Kosovën:
Shqip: A keni dokumente për të shkruar një libër të ri për mafien shqiptare?
Roberto Saviano: E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare, sepse ka një ëndërr të madhe te mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën, Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdishme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re.
Shqip: Do të jetë vërtet?
Roberto Saviano: Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu.
Konstatime dhe pohime vërtet tejet shqetësuese! "Ëndërr e madhe" e mafies shqiptare! "Kokaina transgjenike" që "tashmë po ekzistuaka në Kosovë"! Ekspertët që thonë se Kosova është në rrugën që të bëhet "Kolumbi e Evropës!"
Saviano nuk është i vetmi që i thotë këto pohime. Gati në të njëjtën ditë, "Koha ditore" ka botuar një shkrim të një autoreje të huaj - për fat nuk është e famshme sa Saviano - ku thuhet se nga Kosova po u distribuoka 80 për qind e heroinës që depërton ilegalisht në tregjet e narkotikëve në Evropë! Nëse kjo do të ishte e saktë, atëherë Kosovën do të duhej ta konsideronim për "Kolumbi të Evropës" që sot dhe jo pas 20 vjetësh, siç pohon Saviano.
Një hulumtim që e ka botuar në muajin nëntor Forumi 2015 dhe që ishte realizuar nga Iniciativa Kosovare e Stabilitetit, tregon qartë se në të vërtetë ekziston një traditë e gjatë e krijimit të imazhit të këtillë negativ për Kosovën, si vend ku lulëzon pa penguar krimi i organizuar, trafikimi i njerëzve dhe drogës. Në këtë studim, që titullohet "Çështja e imazhit: dekonstruktimi i problemit të imazhit të Kosovës" mund të gjendet burimi i pohimeve se nga Kosova eksportohet 80% e heroinës që depërton në Evropë, si edhe sintagma se "Kosova është Kolumbia e Evropës", të botuara në vitin 2000 në "The Guardian", në një intervistë me Marko Nicoviçin, i cili ka qenë shef i Forcave Antidrogë të Jugosllavisë.
Në analizën që përmban të dhëna nga në vendet e ndryshme, broshura e Forumit 2015 tregon qartë se statistikat zyrtare evropiane demantojnë fuqinë kaq të madhe të mafies shqiptare e kosovare dhe se imazhi tepër i keq i Kosovës e shqiptarëve si mafia aktualisht më e rrezikshme në Evropë, është mit dhe çështje e propagandës negative që dirigjohet nga Beogradi përmes kanaleve të ndryshme, diplomatike, mediale e të tjera. Pra, pohimet e Savianos dhe të autorëve të tjerë që ushqehen nga propaganda serbe dhe të dhënat që tashmë kanë krijuar një stereotip paragjykues për Kosovën si vend që është jashtë ligjit dhe sundohet nga mafia, në aspektin e faktografisë nuk duhet t‘i marrim si të vërteta e serioze. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato nuk janë të rrezikshme e dëmtuese. Kur një rrenë e tillë stereotipe përsëritet vazhdimisht dhe pastaj bëhet pjesë e diskursit edhe të autorëve me shumë autoritet e influencë siç është Saviano, i cili konsiderohet hero i luftës kundër mafies italiane dhe për këtë edhe burim i besueshëm, kjo nuk mund të mos jetë shqetësuese për qeverinë e opinionin në Kosovë.
Ajo që duhet të na brengosë është se te ne nuk ka instanca zyrtare e as jozyrtare që reagojnë në këso pohime drastike. Madje, ka disa qarqe të brendshme opozitare që këtë luftë të pistë e me prapavijë për bllokimin e avancimit të pavarësisë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës ("Kolumbinë e Evropës" duhet zhbërë si shtet dhe jo të bëhet shtet i barabartë me të tjerët! - thotë propaganda serbe e proserbe) e përkrahin duke pohuar edhe vetë, pa argumente e kuturu si Saviano e të tjerët, që qeveria ka lidhje me krimin e organizuar!
Me këtë nuk dua të them se në Kosovë nuk ka krim të organizuar, apo se Kosova nuk shfrytëzohet si një prej drejtimeve të transportit të drogës nga Azia në Evropë që organizohen prej karteleve të ndryshme mafioze. Po kështu, nuk ka dyshim se në tregun e madh dhe profitabil të drogës, në nivelet e ndryshme të prodhimit, përpunimit dhe të distribuimit të drogave, participojnë edhe grupet dhe individët shqiptarë, në përqindjet që edhe nëse sillen rreth 4 deri 10 për qind, paraqesin rrezik serioz jo vetëm për Evropën, por edhe për shtetin e shoqërinë tonë. Do të ishte vërtet tepër brengosëse edhe nëse Kosova do të kontrollonte jo 80, por 10 për qind të heroinës që kontrabandohet në Evropë, sepse kjo është një sasi shumë e madhe për një territor kaq të vogël që ka më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të banorëve të Kontinentit të Vjetër.
Broshura e Forumit 2015 rekomandon që Kosova duhet ta marrë shumë seriozisht çështjen e imazhit të keq. Aty thuhet: "Retorika dhe PR (public relations) thjesht nuk mjaftojnë; institucionet përgjegjëse së pari duhet ta kuptojnë vetë problemin, ta analizojnë me kujdes dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile të zhvillojnë një strategji të zëshme për riparimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, duke i reformuar institucionet e Kosovës përbrenda".
Në luftërat propagandistike ka gjëra që mund dhe duhet të heshtin, që të mos krijohet më shumë dëm se dobi. Por, rasti i shkrimtarit Saviano, i një zëri me influencë, do të duhej të shfrytëzohej për kundërpërgjigje e kundërpropagandë efektive. Qeveria e Kosovës do të mund të ngrinte padi kundër shkrimtarit për pohimet e tij të pavërteta. Kjo padi do të kishte mbase më shumë jehonë se intervista në "Shqip", që stereotipin e "Kolumbisë evropiane" e plasojë për përdorim të brendshëm në botën shqiptare. Po kështu, qeveria duhet të mendojë dhe veprojë sa më parë për një agjenci që do ta përmirësojë imazhin e keq të Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›