E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Xhekson lufton për jetën

Majkëll Xhekson është duke luftuar mes jetës e vdekjes dhe vetëm një transplant mund ta shpëtojë, por në këto momente ylli i muzikës pop është aq i dobët, saqë një operacion mund të jetë shumë i rrezikshëm për të. Ai që e konfirmon këtë lajm është Jan Halperin, ish-gazetari i revistës "Rolling Stone", autor i librave të suksesshëm si "Love & Death: The Murder of Kurt Cobain" dhe "Stalking Britney: Under Siege with Britney Spears" dhe fituesi i disa çmimeve për punën e tij investigative, zbulime që sot janë marrë nga e përditshmja angleze "Sunday Express dhe tabloidi "Sunday Star".

Përkeqësimi

Sipas thënieve të gazetarit kanadez, ku bazohen edhe dëshmitë e gazetave, këngëtarit i është diagnostikuar një sëmundje e rrallë gjenetike, e njohur si "Alpha 1-antitrypsin deficiency", shkaktuar nga prodhimi i pamjaftueshëm i glicoproteinës "Alpha 1" në gjak dhe në mushkëri, dhe se në rastet më të rënda mund të jetë fatale. "Është i sëmurë prej shumë vitesh, por kohët e fundit gjendja është agravuar jashtëzakonisht. Majkëlli ka nevojë për një transplant mushkërish, por momentalisht është aq i dobët, sa nuk mund ta përballojë operacionin. Majkëlli vuan edhe nga emfizema dhe ka një hemorragji gastrointestinale kronike, që mjekët janë përpjekur shumë për t‘ia ndaluar. Sipas tyre, ky është problemi më shqetësues, që edhe mund t‘i marrë jetën", ka shpjeguar biografi. Dhe jo vetëm kaq. Gjithmonë pohuar nga Halperin, Xhekson vuan nga kjo anomali prej kohësh, por së fundmi gjendja është përkeqësuar edhe më tepër. "Për vite me radhë Majkëlli është përpjekur ta mbajë nën kontroll problemin e mushkërive me ndihmën e ilaçeve, por tani sëmundja është zhvilluar dhe përkeqësuar aq shumë, sa mund t‘i rrezikojë jetën. Tani Xheksoni mezi flet dhe ka humbur 95 për qind të shikimit të syrit të majtë".

"Vëllai im nuk është mirë"

Dëshmitë dramatike të Halperin për momentin nuk janë konfirmuar nga rrethi i ngushtë i miqve të yllit, por vëllai i Xheksonit, Xhermein, e ka pohuar gjendjen e rëndë të Majkëllit: "Vëllai im nuk ka qenë mirë këto kohë", është shprehur Xhermein në një intervistë për "Fox Tv". "Do të thosha se nuk është një moment i mirë për të". Disa javë më parë Xhekson është fotografuar në rrugët e Los Anxhelosit, teksa dilte nga një klinikë mjekësore. Fytyrën e kishte mbështjellë me një maskë të çuditshme (sipas thashethemeve që qarkullojnë, këto janë pasojat e ndërhyrjeve që ka bërë vite më parë për të ndryshuar ngjyrën e lëkurës).
Xhekson jeton prej vitesh larg objektivit të paparacëve. Ndryshe nga ajo që ndodhi në fillim të vitit, kur u shfaq në një karrige me rrota, tani mbreti i pop-it ecën vetë, pa ndihmën e të tjerëve, por sërish duket i shpërfytyruar. Thuhet se Majkëlli do të rikthehet sërish në skenë, por mesa duket ai nuk do t‘ua japë këtë kënaqësi fansave, për shkak të sëmundjes. Momentalisht ai jeton në shtëpinë e tij në Las Vegas dhe nuk preferon të ketë kontakt me botën jashtë.

Biografia

Majkëll Xhekson është një nga yjet më të mëdhenj të panoramës muzikore, që prej viteve ‘70, si solist, ashtu edhe si pjesëtar i "Jackson 5".
Në vitin 1970 u publikua kënga "I Want you back", suksesi i parë me grupin "Jackson 5" dhe një ngjarje shumë e rëndësishme në karrierën e këngëtarit, që atëherë ishte vetëm 11 vjeç. Një vit më vonë, Xhekson debuton si solist me diskun e titulluar "Got to be there". Suksesi i tij dhe ai i "Jackson 5" duket se u favorizua pak e nga pak pas viteve ‘70. Majkëlli mori famë si solist vetëm në vitin 1979, me albumin "Off the wall", një kombinim këngësh dance dhe balada, duke shitur miliona kopje të tij. Artisti filloi të punonte njëkohësisht edhe me vëllezërit (jo më "Jackson 5", por "Jacksons"), deri sa përfundoi albumin tjetër "Thriller", në 1982-shin, një fenomen i vërtetë muzikor, i cili u cilësua edhe si albumi më i shitur i historisë. Majkëlli u rrit artistikisht më shumë se vëllezërit e tij, por qëndroi sërish me ta për të përfunduar një album të ri dhe një turne në 1984-ën. Në vitin 1987 u publikua albumi "Bad", i cili u shoqërua edhe me një turne botëror. Gjashtë këngë prej këtij albumi u bënë pjesë e hit pareidit amerikan. Në 1991-shin, Xhekson u rikthye në skenë me albumin "Dangerous", që shiti katër milionë kopje. Turneu i dytë botëror nisi në 1992-shin dhe përfundoi në ‘93-shin. Në të njëjtin vit, Majkëll Xhekson, imazhi i mbretit të pop-it, u rrënua për shkak të disa akuzave kundër tij (ngacmime seksuale kundrejt një adoleshenti). Xhekson arriti të mbrohej për mrekulli. Në vitin 1995 u publikua albumi "History", ndërsa dy vite më vonë u hodh në treg një tjetër koleksion i titulluar "Blood on the dance floor: history in the mix", që përmbante këngë të përziera dance të albumit paraardhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›