E Diel, 1 Nëntor 2026

Elitarët, 2 javë “ferri” mes Kampionatit dhe Championsit



Seria A – Interi, nën presion. Humbja e fundit me Romën jo vetëm ka krijuar një lloj tensioni tek skuadra zikaltër, por sikur të mos mjaftonte kjo dy javët në vazhdim duke nisur nga sonte parashikohen tejet të vështira. Skuadra e Mourinjos do të presë sonte CSKA-në e Moskës dhe më 3 prill do të luajë në kampionat ndaj Bolonjës. Tri ditë më pas zikaltërit do të zbresin në “ferrin” rus për ndeshjen e kthimit të Championsit dhe katër ditë më vonë do të kenë përballë Fiorentinën, në fushën e kësaj të fundit, në kampionat. Nga ana tjetër, Roma me një kalendar më të lehtë, ndaj Barit dhe Atalantës në harkun e dy javëve do të jetë rreziku Nr.1 për të marrë kryesimin në Serie A.

Angli – Edhe Mançesteri pritet të kalojë një javë mjaft të vështirë. Pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj Bajernit të Mynihut, në fundjavë, më datë 3 prill “Djajtë e kuq” do të presin çelsin e Karlo Ançelotit në kampionat, i cili gjendet vetëm një pikë pas. Ndërsa katër ditë më vonë do të presin sërish Bajernin për ndeshjen e kthimit të Kupës së Kampioneve. Nuk mbaron aty: më 11 prill Mançesterin e pret një tjetër sfidë e vështirë në fushën e Bllekbërn Rovers, skuadër kjo mjaft e fortë në fushën e saj. Ndërsa në javën pasardhëse, më datë 17 do të luajë derbin me Mançester Sitin. Pritet që çelsi të përfitojë edhe nga kalendari (Aston Vila, Bolton, Totenham) në harkun e 20 ditëve.

Gjermani – Bajern është akoma më shumë në presion pasi së fundmi ka humbur dhe kryesimin në kampionatin gjerman në favor të Shalkes, skudër me të cilën do të luaj këtë fundjavë. Kalendari më pas i rezervon ndeshjen e kthimit ndaj Mançester Junajtid në “Old Traford” dhe tri ditë më vonë një super-ndeshje ndaj Bajer Leverkusen në Bundesligë. Nga ana tjetër Shalke e vendit të parë do ta ketë shumë herë më të lehtë pasi do të zhvillojë tri ndeshje në 20 ditë ndaj skuadrave si Hanorer, Borusia Mynshegladbah dhe Hertës së Berlinit, që të tria ndeshje të fituara, të paktën në letër. Ndërsa Bajern duhet të ruhet edhe Leverkuzen, edhe kjo skuadër pretendente për titull.

Spanjë – Dy javë ferri edhe për Barcelonën e Pep Gurdiolës. Sonte blaugranat do të luajnë në Kupën e Kampioneve ndaj Arsenalit ndërsa në fundjavë do të presin në fushën e tyre, Athletik Bilbaon. Takimi i kthimit në Champions do të luhet më datë 6 prill dhe më 11 është super-klasikja Real Madrid- Barcelona ku do t’i vihet kapak sipas të gjitha gjasave edhe rebusit të titullit në Spanjë. Që të dyja skuadrat kanë nga 74 pikë por Reali ka një kalendar më të lehtë përderisa luan vetëm për titullin në Spanjë. Galaktikët do luajnë vetëm ndaj Santander para se të takojnë Barcelonën më 11 prill dhe më pas do të përballen në transfertë ndaj Almerias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›