Elsa Lila, kurse zhytje në Madagaskar
Nëse për këngëtaren Elsa Lila nuk keni dëgjuar ndonjë gjë kohëve të fundit kjo ndodh sepse ajo është shumë larg vështrimit të kuriozëve dhe e impenjuar me diçka tjetër më interesante. Sipas burimeve tona këngëtarja e njohur ka braktisur edhe Italinë ku jeton prej disa vitesh për të shkuar në një ishull gjigant në kërkim të argëtimit. Bëhet fjalë për pushimet e Lilës në Madagaskar, i cili njihet si një nga vendet më të jashtëzakonshëm për bregun e mrekullueshëm që ka. Ka qenë një zgjedhje e këngëtares Elsa Lila për të shkuar në Madagaskar pas festimit të ditëlindjes së saj në 10 korrik dhe që nga korriku ajo ka qëndruar aty duke shijuar verën, peizazhin dhe një argëtim të ri siç është zhytja. Pikërisht kurset e zhytjes kanë qenë një nga impenjimet kryesore të Elsës. Ka kohë që këngëtarja është larguar pak nga muzika dhe i ka kushtuar më shumë kohë gjërave të tjera siç ka qenë eksperienca si prezantuese apo tani edhe aventura në Madagaskar. Për këngëtaren duket se fakti që pushimet po zgjasin kaq shumë duhet të jetë një eksperiencë e bukur. Siç duket edhe me gjuhën Elsa nuk e ka pasur shumë të vështirë, sepse si gjuhë zyrtare janë edhe anglishtja dhe frëngjishtja. Sipas burimeve tona këngëtarja Elsa Lila nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur do të rikthehet sërish në Itali dhe aq më tepër në Shqipëri, por për momentin nuk ka asnjë plan të tillë. Për sa i përket muzikës duket se as në këtë aspekt nuk ka ndonjë projekt. Faktit që ajo ka shkuar e vetme në Madagaskar i shtohet edhe aludimi tjetër se Elsa momentalisht ka preferuar statusin “single” dhe larg syve të kureshtarëve.