E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elsie, me poezinë e Zhitit në Amerikë

25/05/2005  Pak javë më parë, shtëpia botuese amerikane "Green Integer", me qendër në Los Anxheles, ka hedhur në qarkullim një përmbledhje poetike të poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti, të titulluar "Molla e dënuar". Një përmbledhje poetike dy gjuhëshe, që mban vulën e përkthyesit dhe albanologut të njohur Robert Elsie

Poezia e Visar Zhitit kapërcen oqeanin Atlantik dhe për herë të parë sheh dritën e botimit në SHBA. Eshtë një përmbledhje poetike nga krijime të mëparshme të Zhitit, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga përkthyesi dhe albanologu i njohur Robert Elsie. Ky libër është konceptuar në dy gjuhë, si në anglisht, ashtu edhe në shqip, që sigurisht kërkon të tërheqë edhe lexuesit shqiptarë që jetojnë në SHBA. Elsie ka përzgjedhur rreth 75 poezi, të marra nga vëllimet poetike "Kujtesa e ajrit" (Tirana 1993), “Hedh një kafkë“ (Tirana 1994), “Mbjellja e vetëtimave“ (Shkup 1994), “Dyert e gjalla“ (Tirana 1995) dhe "Si shkohet në Kosovë" (Tirana 2000). Madje, edhe titulli i kësaj përmbledhje poetike "Molla e dënuar" është marrë nga poezia me të njëjtin titull nga vepra "Hedh një kafkë". Parathënia e librit është shkruar nga vetë Elsie, i cili përshkruan jetën dhe aktivitetin letrar të Zhitit. Midis të tjerash, në këtë parathënie ai shprehet se "Visar Zhiti është një shkrimtar, jeta dhe puna e të cilit është, ndoshta, pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij", gjatë periudhës së komunizmit. Duke theksuar qëndresën e Zhitit, jo vetëm në burgjet e diktaturës, por në tërësinë e saj, Elsie shkruan se "Zhiti mbijetoi fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht, duke qenë aktualisht një nga poetët më popullorë të ditëve tona, në Shqipëri". Por ajo që tërheq më shumë vëmendjen, është hyrja e kësaj përmbledhjeje poetike shkruar nga kritikja e artit Janice Mathie-Heck. Një hyrje, ku kritikja Mathie-Heck përpiqet të zbërthejë ndikimet e mitologjisë dhe forcën mitike të qëndresës në poezinë e tij. Një përmbledhje, e cila vjen nën titullin "Zinxhirët e Prometut, në poezinë e Visar Zhitit". Pa filluar ende këtë analizë, ajo përshkruan jo vetëm Zhitin dhe jetën e tij, por edhe situatën e Shqipërisë në këtë periudhë, por duke theksuar se jeta e një poeti apo krijuesi, ishte dy herë më e vështirë dhe ndjehej dy herë i braktisur nga sistemi. "Filozofia totalitariste kërkonte që individi të mos kishte një ndërgjegje personale, por të ishte Shteti, ai që formonte ndërgjegjen e tij".

Përgjegjësitë e Zhitit

"...Visar Zhiti është në të vërtetë një ndër poetët e rrallë e të talentuar. Ai mbetet i hapur ndaj të gjitha mundësive, nuk ka frikë të eksplorojë botën e tij të brendshme dhe vazhdon të besojë, në mënyrë të mahnitshme, se ka ende për të zbuluar dhe për të njohur në "pyllin" e qenies së tij. Si një përlotje, që i ngjason fytyrës magjike të Xhokondës, apo një figure mitike të krijuar nga "pusi i kohës", poezia e tij reflekton realitet, por që e transformon apo e kapërcen atë. Imazhet e tyre 'manipulohen' dhe dyzohen në një shumëllojshmëri të çuditshme dhe të paparashikueshme, ndonjëherë prototipe familjare apo të derdhura. Arti që rezulton nga kjo është një përpjekje e fuqishme për t'u çliruar, për të qenë i lirë, që ve flatra dhe rrëshqet me ëmbëlsi hapësirat sublime qiellore. Hesodi na thotë se, 'kur një njeri ndjen dhimbje dhe ka një shpirt të pikëlluar, harron mendimet e tij të errëta, apo nuk kujton hidhërimet e tij, kur Muzat i dhurojnë dhuntitë hyjnore'. Zhiti sfidon pasqyrimin e një realiteti, i cili ekziston pas shtrëngimit dhe zinxhirave, me të cilët trupat tanë fizikë janë lidhur. Ndërgjegjja kolektive universale e eksperiencës njerëzore nuk mund të heqë nga vetja përgjegjësitë. Sikundër poeti e pohon, edhe në ditët më të zeza e më të dëshpëruara të burgut, 'unë duhet të kërkoja qorrazi në errësirën e dhomës, për të gjetur një qiri gati-gati të mbaruar'. Mitet greke na mësojnë se dashuria lind nga vdekja dhe errësira, që formojnë dritë. Drita e dashurisë nuk humbet asnjëherë, por do të mbetet përjetësisht e ndezuar nga dhuntia e zjarrit. Edhe pse dëshira e zjarrtë dhe e pafajshme për të shkruar, gati i shkatërroi jetën, Visar Zhiti asnjëherë nuk e braktisi imagjinatën e tij, dhembshurinë apo qëndrueshmërinë. Ai ishte i bindur të vazhdonte kërkimin dhe dedikimin ndaj shpirtit të tij, 'të dashuronte poezinë'. I mbushur me ilaçin shërues, i pajisur me forcën e miteve, dhuntia e tij përvëluese përbën për ne, në fakt, shpresën më të madhe".

Janice Mathie-Heck

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›