E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkurrenca, dy qëndrime të kundërta për ligjin

25/05/2005  Autoriteti i Konkurrencës vlerëson ligjin, BE kërkon rishikimin e tij

Informacionet mbi ngritjen e një grupi pune nga ana e BE-së për përgatitjen e një ligji të ri për konkurrencën, nuk janë pritur mirë nga Autoriteti i Konkurrencës. Në cilësinë e institucionit që zbaton ligjin e konkurrencës, Autoriteti ka deklaruar se ligji i miratuar në parlament në korrik të 2003-shit, është shumë pranë legjislacionit evropian. “Ligji ’për mbrojtjen e konkurrencës’ është konsideruar nga ekspertët plotësisht i përafruar me legjislacionin komunitar të konkurrencës”, ka deklaruar Diana Dervishi, sekretare e Përgjithshme e Autoritetit të Konkurrencës. Për Autoritetin, i vetmi problem që paraqet sot ligji, është zbatimi dhe përgatitja e akteve nënligjore, për ta bërë sa më efikas ligjin e konkurrencës. “Plotësimi i kuadrit ligjor për konkurrencën me akte nënligjore, në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, do të plotësojë kuadrin ligjor në këtë fushë, duke mundësuar funksionimin e plotë të Autoritetit të Konkurrencës si një institucion publik i pavarur, përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës”, ka sqaruar Diana Dervishi. Por, ndërkaq, brenda të njëjtit institucion është ngritur një grup pune, i cili po vë në zbatim një program të Komisionit Evropian për rishikimin e ligjit të konkurrencës dhe përfarimin e tij me standardet e BE–së. Projekti i ka kushtuar BE-së plot 1.9 milionë dollarë dhe duket se grupi i punës i ngritur dhe me ekspertë të huaj, duhet të përfundojnë çështjen e rishikimit të ligjit dhe plotësimit të disa mangësive deri në qershor të 2006-ës. “Ne jemi këtu për të bërë një rishikim të ligit ekzistues, me qëllim që ta bëjmë atë sa më afër të mundshëm me standardet e BE-së, ku Shqipëria kërkon të aderojë“, ka deklaruar dr.Malcolm Gylee, drejtues i grupit të punës brenda projektit CARDS të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, duket se opinioni mbi mënyrën se si po operohet me ligjin, nuk është njëlloj brenda dy organizmave, BE që ka ngritur një grup pune, duke i financuar me një projekt dhe Autoritetit të Konkurrencës, që ndjek nga afër ligjin dhe zbatimin e tij. Sipas specialistëve të Autoritetit, deri më sot për ligjin janë thënë fjalët më të mira dhe duket se vetë BE-ja ka qenë e kënaqur me standardet që ka adoptuar ligji. Aktualisht, Autoriteti i Konkurrencës është në momentin e përgatitjes së udhëzuesve për zbatimin e ligjit dhe nuk e shikon me vend ndryshimin e tij.

“Efektiviteti dhe cilësia e zabtimit të ligjit të konkurrencës, krahas plotësimit të kuadrit ligjor të harmonizuar me atë evropian, do të ishte e pamjaftueshme nëse nuk do të kishim kapacitetet e nevojshme të afta për zbatimin e tij”, ka deklaruar Diana Dervishi, duke sqaruar se Projekti CARDS i BE-së ka bërë të mundur deri më sot trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, duke bërë të mundur që të zgjidhet dhe ky problem.

Malcolm Gylee, ja problemet me ligjin

BE-ja nëpërmjet projektit CARDS, ka krijuar një grup pune me ekspertë të huaj, për t’i ardhur në ndihmë Ministrisë së Ekonomisë dhe më konkretisht Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me çështjet e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore. Këto kanë qenë dy çështje të ngritura nga BE-ja dhe në raportin e fundit për Shqipërinë. Pikërisht në lidhje me këto çështje, shefi i grupit të punës, dr.Malcolm Gylee, sqaron për “Metropol” dhe qëllimet e këtij projekti. “Ligji ka nevojë për një rishikim për të plotësuar ato mangësi që e bëjnë konkurrencën të përshtatshme dhe më afër ligjeve të BE-së, ku Shqipëria po kërkon të aderojë“, thotë dr.Gylee. Kështu, shefi i këtij misioni sqaron se ligji ka nevojë për përpunime në kuadrin legjislativ dhe atë juridik si dhe për sa i takon përmirësimeve në lidhje me konkurrencën, në tregje dhe në marrëdhëniet e biznesit, vendosjen e çmimeve dhe shërbimin e konsumatorit. “Ky ligj duhet t’i shërbejë të gjitha palëve dhe duhet të jetë sa më i plotë dhe ky është një nga objektivat tona, të cilat duhet t’i arrijmë deri në përfundim të projektit, në qershor të 2004-ës“, ka sqaruar dr.Gylee. Për këtë arsye projekti do të marrë dhe mendimin e biznesve si dhe do të përfshijë brenda tij aktet, të cilat parashikojnë një kontratë të drejtë për biznesin që respekton të gjitha detyrimet dhe të drejtat e palëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›